25 maj 2025, Strugë – Në hapësirat e Hotelit Ëmbla në Strugë u zhvillua Mbledhja e III-të e Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, e thirrur nga Kryetari z. Mendi Qyra. Mbledhja mblodhi anëtarët e Këshillit drejtues, Mbikëqyrës, Drejtorin Ekzekutiv dhe Menaxheren operative për të diskutuar temat kyçe që lidhen me zhvillimin strategjik të Odës dhe aktivitetet e ardhshme institucionale.
Në fokus të mbledhjes ishin përgatitjet për shënimin e 20-vjetorit të themelimit të OEMVP-së, një moment historik për institucionin dhe komunitetin e biznesit që përfaqëson.
Gjithashtu, u diskutua edhe edicioni i gjashtëmbëdhjetë i TOP 100™ 2025, një prej platformave më prestigjioze të OEMVP-së që vlerëson dhe promovon kompanitë më të suksesshme anëtare, por edhe ngjarja ku kompanitë kanë mundësi të shkëlqyer rrjetëzimi.
Mbledhja shënoi një hap të rëndësishëm drejt realizimit të objektivave strategjike të Odës për kuartalin e tretë të vitit 2025, duke reflektuar përkushtimin e saj për të avancuar rolin e biznesit vendas dhe për të ofruar platforma ku suksesi i ndërmarrjeve anëtare vlerësohet dhe promovohet.
Pas përfundimit të mbledhjes, z. Qyra, Kryetar i OEMVP-së dhe pronar i Hotelit Ëmbla, organizoi një drekë të shtruar në shenjë mirënjohjeje për të pranishmit.





