25.12.2025, Tetovë – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vazhdon angazhimin e saj për forcimin e dialogut me institucionet lokale dhe zhvillimin e partneriteteve të qëndrueshme që mbështesin komunitetin e biznesit. U.d. Kryetari z.Nuhi Aliu, Drejtori ekzekutiv, z.Durim Zekiri, Kryetari i nderit z.Xhemail Dauti dhe anëtarë të Këshillit drejtues u mirëpritën në takim nga Kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami.
Gjatë takimit u diskutua mbi nevojat dhe prioritetet e biznesit lokal, si dhe hapat konkretë për përmirësimin e mjedisit ekonomik në qytet me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshirjen e bizneseve në proceset vendimmarrëse.
U.d. Kryetari i OEMVP-së, z. Nuhi Aliu, e uroi Kryetarin Kasami për mandatin e tij të dytë, duke shprehur gatishmërinë dhe interesin e Odës për thellimin e bashkëpunimit institucional me Komunën e Tetovës. Ai theksoi se OEMVP mbetet e hapur për prezantimin e mundësive investuese dhe projekteve zhvillimore, të cilat, sipas tij, duhet të komunikohen dhe diskutohen drejtpërdrejt me Odën dhe anëtarësinë e saj, në funksion të krijimit të vlerës së shtuar për ekonominë lokale.
Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, potencoi se bashkëpunimi me komunitetin e biznesit ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të Komunës. Ai shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim më të strukturuar dhe më të afërt me OEMVP-në, duke theksuar se Tetova ofron mundësi të konsiderueshme për investime. Kryetari Kasami nënvizoi se çdo biznes që shpreh interes për të investuar ose zhvilluar aktivitete ndërtimore në Tetovë është i mirëpritur, duke theksuar rëndësinë e partneritetit publik-privat si mekanizëm kyç për zhvillimin ekonomik lokal.
Në vijim të diskutimeve, Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së, z. Durim Zekiri, prezantoi mundësinë për realizimin e projektit për hartën e bizneseve në komunat përkatëse, iniciativë kjo që mund të kontribuojë në përshpejtimin e procesit të decentralizimit, rritjen e transparencës dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik lokal.
Në kuadër të takimit, u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet OEMVP dhe Komunës së Tetovës, në të cilin palët vendosën kornizë institucionale për bashkëpunim të ndërsjellë, me synim realizimin e aktiviteteve, projekteve dhe iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, social dhe administrativ të komunitetit lokal.
Pas përfundimit të takimit, u.d. Kryetar i OEMVP, z. Nuhi Aliu, dhe Kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, dhanë deklaratë për shtyp ku theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe gatishmërinë për ndërmarrje të përbashkëta në mbështetje të sipërmarrjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.






