Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot realizoi takim me kryeministrin z. Nikolla Gruevskin në hotel Aleksandar Palace në Shkup. Në takim ishin prezent edhe kryetari i OEMVP-së z. Menderes Kuçi, drejtori ekzekutiv z. Arben Halili, ministri i ekonomisë z. Valon Saraqini, Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike z. Vlladimir Peshevski, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Financave z. Zoran Stavreski dhe ministri për transport dhe lidhje z. Mile Janakievski.
Nga ana e OEMVP-së prezent ishin anëtarë të Këshillit drejtues dhe Mbykqyrës si edhe anëtarë të tjerë.
Qëllimi i takimit ishte që anëtarët e OEMVP-së në mënyrë të drejtpërdrejtë të mund të shpalosin idetë, por edhe vështirësitë që hasin në punën e tyre, me përfaqësuesit e qeverisë.
Temë diskutimi ishin rritja e efikasitetit të sistemit gjyqësorë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore, respektivisht autostrada Shkup-Bllace, thjeshtësimi i procedurës së zhdoganimit të mallrave dhe rritja e efikasitetit në pikat kufitare rreth kohëzgjatjes së doganimit ose zhdoganimit të mallrave, krijimi i kushteve të përshtatshme që toka bujqësore që është në pronësi të shtetit të mund të ju ofrohet në shfrytëzim bizneseve të cilat janë të fokusuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese që në mënyrë të drejtpërdrejtë të kontribuojë në punësimin e fuqisë punëtore në vend dhe njëkohësisht do mundësonte zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm, rritjen e efikasitetit të Agjencionit pagesor, veçanërisht kur kemi të bëjmë me fondet nga IPARD programa e shumë tema të tjera me rëndësi.

Në fund të takimit, kryeministri Gruevski dhe kryetari i OEMVP-së z. Menderes Kuçi u dakorduan që ky bashkëpunim në të ardhmen të jetë edhe më i shpeshtë gjë që do mundësonte tejkalimin e shumë vështirësive në kohë, në relacion biznes-institucione qendrore.
Në fund të takimit Kryetari i OEMVP-së z. Menderes Kuçi dhe Ministri i Financave z. Zoran Stavrevski dhanë deklaratë për media.


