14.05.2025, Shkup – Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Kryetari, Qyra, dhe Drejtori Ekzekutiv, Zeqiri, pritën studentë të Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, si dhe përfaqësues nga Parlamenti dhe Asociacionit Studentor i UEJL, të udhëhequr nga kryetari i tyre, Agron Muharemi. Të njëjtit realizuan një vizitë studimore me qëllim që të njihen më nga afër me punën e Odës që nga themelimi i saj, aktivitetet më të fundit, zhvillimet në komunitetin e biznesit vendor, si dhe me iniciativat që ky institucion ndërmerr për krijimin e kushteve që të rinjtë të ndërtojnë karrierën e tyre në vend, duke shmangur aspiratat për migrim.
Gjatë takimit, Kryetari Qyra informoi studentët për misionin dhe vizionin e OEMVP-së, projektet strategjike dhe ndikimin që Oda ka në përmirësimin e klimës së të bërit biznes në rajon. Ai foli gjithashtu për sfidat me të cilat përballen kompanitë vendore, iniciativat për mbështetjen e sipërmarrësisë, si dhe rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve në proceset zhvillimore ekonomike. Ndër temat që zuri vend të veçantë në diskutim ishte edhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, të cilën z.Qyra e ka potencuar vazhdimisht si një ndër sfidat më serioze për rritjen e qëndrueshme të sektorit privat, duke theksuar nevojën për përgatitje të kuadrove profesionale dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve arsimore dhe tregut të punës. Me këtë rast, porosia për të rinjtë ishte e qartë, që të ardhmen e tyre duhet ta ndërtojnë në shtëpi, duke jetuar dhe punuar në vend, duke kontribuar me dijen, energjinë dhe aftësitë e tyre në zhvillimin personal, ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Drejtori Zeqiri informoi studentët edhe rreth kërkesave konkrete të Odës për përfshirjen e masave për kushte optimale të punëtorëve, përmirësimin e sistemit arsimor për të drejtuar nxënësit drejt drejtimeve profesionale dhe krijimin e bashkëpunimit mes institucioneve arsimore dhe Odës. Ndërkaq, u theksua edhe kërkesa e kahmotshme për rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe uljen e kontributeve.
Në këtë drejtim, OEMVP shprehu gatishmërinë dhe u qëndron me dyer të hapura studentëve të interesuar për të realizuar punë praktike, duke i ftuar që të drejtohen në Odë për t’u ndërlidhur me kompanitë anëtare.
Në fund, u zhvillua një diskutim i lirë ndërmjet studentëve dhe udhëheqësve të institucionit, i cili rezultoi të jetë një takim i frytshëm dhe me vlera për të dyja palët.






