„OEMVP fuqizon gruan në biznes„
Grupacioni i Grave Afariste pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë pranë Universitetit të Evropës Juglindore, në kuadër të shënimit së Ditës Ndërkombëtare të Gruas, organizuan Konferencën e 8 Marsit me temë “Roli i gruas në shoqëri dhe biznes.
Konferenca u fokusua në rolin e grave në shoqëri dhe biznes, dhe ishte një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar dhe ndarë perspektivat mbi fuqizimin e grave në të dy fushat.
Kryetari i OEMVP, z. Mendi Qyra, Drejtori ekzekutiv z. Drilon Iseni dhe Profesori i UEJL, z. Veland Ramadani, përmes fjalës së tyre në konferencë u fokusuan tek rëndësia e rolit të grave në shoqëri dhe biznes, duke theksuar se gruaja është palca e shoqërisë dhe se fuqizimi i saj është i rëndësishëm jo vetëm për aspektin social, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
Panelistet Qanije Selimi, Shenaj Haxhimustafa, Nora Kaliqi, dhe Asibe Tusha, ishin nga fusha e biznesit, gazetarisë, modës dhe akademisë, të cilat ndanë perspektivat dhe përvojat e tyre në lidhje me rolin e grave në fusha të ndryshme të jetës. Gjithashtu, u bënë propozime për hapa të mëtejshëm për fuqizimin e grave në shoqëri dhe biznes, duke përfshirë ndihmën për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe nxitjen e barazisë gjinore në fusha të ndryshme të jetës.
Kjo konferencë ishte shembull i angazhimit të Odës në mbështetjen e grave në biznes dhe promovimin e rëndësisë së tyre në shoqëri.