OEMVP, e vetmja në rajon me Kodeks të praktikave të mira afariste

Në mbledhjen e Kuvendit të OEMVP-së u prezantua dhe aprovua Kodeksi i praktikave të mira afariste. Ky dokument buron drejtpërdrejtë nga Statuti i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore si dhe nga orientimi proaktiv i saj për të kontribuar në ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimit të kushteve të veprimit në kuadër të subjekteve afariste – anëtarë të Odës ekonomike.

Ideja e sjelljes së këtij kodeksi  erdhi si rezultat i nevojës së përkrahjes reciproke mes bizneseve në aktivitetet e tyre afariste. Një iniciativë e këtillë ishte e nevojshme sidomos gjatë kësaj periudhe të vështirë pandemie kur likuiditeti i shumë kompanive ka rënë dhe është esenciale që bizneset të përkrahen në mes veti me qëllim që kjo krizë të tejkalohet me sa më pak pasoja.

Kodeksi bazohet dhe zbatohet sipas disa parimeve dhe dispozitave të përgjithshme, të tilla si: besueshmëria dhe kredibilieti, respekti për individin dhe shoqërinë, komunikimi transparent dhe i drejtë, respektimi i dispozitave ligjore si dhe statutit të OEMVP, konkurrenca e drejtë, fer dhe lojale, mbrojtja e informacionit dhe të dhënave personale, parandalimi i konfliktit të interesit, mbrojtja e shëndetit dhe siguria në punë si dhe transparenca, llogaridhënia dhe pjesëmarrja proaktive e gjithë akterëve të biznesit.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në misionin e saj për të organizuar, avancuar, mbrojtur interesat dhe promovuar bizneset në vend dhe jashtë, gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë pioner në iniciativa të reja.