05.07.2025, Strugë – Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në bashkëpunim me Agjencinë për Punësim, prezantoi sot Planin Operativ për Punësim, në ngjarjen e organizuar te Ëmbla Hotel & Spa në Strugë.
Plani përfshin masa konkrete dhe mbështetje direkte për kompanitë vendore, me synim rritjen e punësimit dhe fuqizimin e sektorit privat në vend.
Në kuadër të ngjarjes, u mbajt edhe një panel diskutimi, ku folës ishin: ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra, drejtori i Agjencisë për Punësim, Selatin Beluli dhe zëdhënësja e Qeverisë së RMV-së, Venera Latifi Azizi.
Në fjalën e tij, kryetari Qyra, theksoi rëndësinë e Planit Operativ për Punësim si një hap konkret drejt fuqizimit të të rinjve dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Gjithashtu, vlerësoi rritjen e buxhetit dhe përqendrimin tek përfshirja e të rinjve në tregun e punës, duke theksuar se OEMVP mbetet e përkushtuar të jetë urë lidhëse mes bizneseve dhe institucioneve, përmes informimit të rregullt, mbështetjes për vetëpunësim dhe krijimit të kushteve më të mira për start-up-et dhe kompanitë vendore.
“Eliminimi i asimetrisë mes kërkesës për 20.000 punonjës nga sektori privat dhe ofertës prej mbi 96.000 kërkues aktiv në entin për punësim është prioritet për të tejkaluar këtë grykë të ngushtë në të cilën gjendet ekonomia dhe tregu i punës”- tha ndër tjerash Z.Mendi Qyra
Kryetari Qyra edhe në këtë rast ishte i zëshëm kundër mos realizimit të kërkesës për rritje të pagës minimale Neto në 500 euro dhe ngrirje të kontributeve me çka do ngelin në 32%, duke shkarkuar barë të madhe tek punëdhënësit, pa shkaktuar implikime buxhetore në arkën e shtetit.






