Një grup bashkatdhetarësh të përfshirë nga të gjitha trevat shqiptare kanë marrë vendim që të ngrenë një grup organizativ për përgatitjet e festimit të 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar.
Nëpërmjet këtij manifestimi synohet të jepet një mesazh në kryeqendrën e botës, Geneve, Zvicër mbi diasporën shqiptare, për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë përmes vlerave në promovimin e imazhit të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Përmes këtij manifestimi që paraprin kulmimin e manifestimeve me rastin e 100- vjetorit të shtetit shqiptar, në sytë e kombit shqiptar synojmë të mbledhim bashkë personalitet politike si dhe promovimin e vlerave kulturore–artistike, artizanale shqiptare në Zvicër dhe më gjerë, gjithashtu një prezantim të zhvillimeve të shtetit shqiptar këto njëqind vite me theks të veçantë pas rënies së komunizmit.
Këshilli organizativ do kujdeset që manifestimi të mos ketë karakter komercial si në përzgjedhjen e vendit në mënyrë që të jetë në nivelin e një aktiviteti të këtyre përmasave. Manifestimi do të konsistojë në organizimin e një sërë aktivitetesh që do të pasojnë njëri- tjetrin: panairi me ekspozimin e materialeve informuese mbi turizmin ne Shqipëri, promovimin e punimeve artizanale shqiptare, ekspozitë e historisë shqiptare për realizimin e së cilës po bashkëpunohet me drejtuesin e muzeut kombëtar z. Luan Malltezi, organizimi i 3 koncerteve; akademik, popullor dhe artistik, etj.
Pjesë e koncertit akademik do të jetë orkestra filarmonike e Teatrit te Operës dhe Baletit pjesëmarrjen e së cilës e kemi konfirmuar nga drejtuesi i këtij institucioni, z. Zhani Ciko, një koncert i cili u dedikohet personaliteteve politike pjesëmarrëse.
Koncerti popullor në të cilën do të përfshihet Ansambli i Valleve dhe Këngëve Popullore të Shtetit Shqiptar, gjithashtu me një pjesëmarrje të këngëtarëve nga të gjitha trevat shqiptare, Ulqin, Çamëri, Jug e Veri.
Koncerti Artistik do të përbëhet kryesisht nga rrymat moderne e bashkëkohore me pjesëmarrjen e emrave më të njohur të muzikës shqiptare.
Njëqind e dyzet artistë (instrumentistë, këngëtarë, balerinë e valltarë) janë në përbërje të këtyre koncerteve, kohëzgjatja e secilit është 60 minuta.
Për të gjithë të interesuarit, për më tepër informata kontaktoni në fatima.vela@oemvp.org



