Kryetari Qyra mirëpret Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, z. Florian Qehaja. Në theks tejkalimi i barrierave ekonomike ndërshtetërore
21.08.2024, Shkup – Në hapësirat e OEMVP u zhvillua takimi me Ambasadorin e Republikës së Kosovës, i cili u mirëprit nga kryetari z. Qyra, Kryetari i nderit z. Dauti dhe Drejtori Ekzekutiv z. Zekiri. Në takim u diskutua rritja e pjesëmarrjes së kompanive të Kosovës në tregun e Maqedonisë së Veriut dhe anasjelltas, duke potencuar se ekzistojnë mundësi të shumta për zgjerimin e bashkëpunimit duke përfshirë sektorë të ndryshëm. U përmend edhe rishqyrtimi i marrëveshjes One Stop Shop, me çka synohet të lehtësohen procedurat administrative për kompanitë që operojnë ndërmjet dy vendeve, duke mundësuar qasje më të shpejtë dhe efikase në tregjet përkatëse.
Temë tjetër ishte edhe reciprociteti gjatë blerjes së pronave në të dy vendet përkatëse, ku të dyja palët theksuan rëndësinë e trajtimit të barabartë të qytetarëve dhe kompanive në çështjet e pronësisë, ku si rrjedhojë përforcohen marrëdhëniet mes shteteve.
Ambasadori, z. Qehaja foli edhe rreth zgjidhjes së problemit dhe anëtarësimit të Kosovës në Unionin e CEMT (Konferenca Evropiane e Ministrive të Transportit), duke vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës është thelbësor për lehtësimin e transportit ndërkombëtar të mallrave dhe për fuqizimin e pozitës së Kosovës në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Shkëlqesia e tij gjithashtu potencoi se OEMVP-në e sheh si partner dhe se do vazhdojë të i drejtojë kompanitë kosovare në RMV të anëtarësohen tek Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore tani është faktor shumë i madh në krijimin e politikave makroekonomike, determinimin e kahjes zhvillimore ekonomike por gjithashtu tani edhe me kontribut të padiskutueshëm në hapjen e dyerve për tregti të jashtme me shtetet fqinje dhe më gjërë.