Kryetari Qyra i ftuar si folës në panel diskutimi mbi tema të rëndësishme për zhvillim ekonomik të RMV, nga Fakulteti i Heidelberg Shkup

20.08.2024, Shkup – Në hapësirat e Fakultetit të Heidelberg Shkup, u organizua Forumi ku u debatua mbi “Strategjitë shtetërore dhe sfidat për zhvillim të qëndrueshëm të komunave. Në panelin e parë u diskutua rreth politikave publike të njësive të vetëqeverisjes lokale të orientuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe përmirësimi i procesit të menaxhimit  të politikave ekonomike të qeverisë drejt ndikimit të njësive të vetëqeverisjes lokale.

Në panelin e dytë u diskutua rreth investimeve kapitale, zhvillimi i infrastrukturës dhe decentralizimi fiskal, si dhe sfidat e shteteve kandidate për anëtarësi në BE: Pavarësia e njësive të vetëqeverisjes lokale.

Kryetari z. Qyra ishte i ftuar si folës në panelin e dytë të diskutimit, bashkë me kryetarin e Komunës së Kumanovës, z. Maksim Dimitrievski, si dhe kryetarin e komunës së Aerodromit, z. Dejan Miteski.

Qyra theksoi rëndësinë e investimeve kapitale për RMV, si element kyç për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Nëpërmjet investimeve kapitale, kontribuohet edhe në fuqinë punëtore, me krijimin e kushteve më të mira për të jetuar dhe punuar në vend, kështu reduktohet norma e papunësisë dhe stimulojmë kërkesën për të punuar në sektorë të ndryshëm. Vlen të potencohet që sipas Agjencisë për punësim, mbi 100.000 kërkues aktiv të punës nuk mund të përmbushin nevojën e sektorit privat për 20.000 punonjës.

Zhvillimi i infrastrukturës është i inkuadruar edhe në Platformën për zhvillim ekonomik të RMV, ku OEMVP ka propozuar disa prioritete bazë për një infrastrukturë të përmirësuar , duke investuar në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe infrastrukturën e kufijve, me qëllim të lehtësohet rrjedha e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si dhe përmirësimi i shkëmbimit tregtar me shtetet ndërkufitare.

Në hapësirën për diskutim të lirë, fjalën morri edhe Drejtori ekzekutiv i OEMVP, z. Zekiri, duke përmendur Raportin mbi Konkurrueshmërinë Globale, indikatorët e të cilit tregojnë se jemi shteti me shkallën më të ulët të kompanive të sapo themeluara, si dhe me shkallën më të ulët të sipërmarrësve të rinj në Evropë. Si pasojë e kësaj, duhet të merren masa dhe të krijohen politika zhvillimore që do kontribuojnë në të gjitha fushat, nëpërmjet së cilës do të mundësohet standard jetësor më të lartë.