Kryetari Hoxha në Konferencën e USHT-së
“Faktorët e mjedisit, sfidat e zhvillimit ekonomik” është tema e Konferencës së tretë shkencore ndërkombëtare që sot i filloi punimet në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Kjo konferencë këtë vit organizohet nga dy fakultetet e USHT-së, respektivisht Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Administrimit të Biznesit.
Konferencën e shpalli të hapur Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, i cili theksoi se numri i madh i studiuesve shkencorë të fushave ekonomike në këtë konferencë, dëshmon seriozitetin dhe nevojën për të organizuar takime të këtij niveli. Ai poashtu shprehu mirënjohje për referuesit dhe diskutuesit në këtë konferencë, të cilët sipas tij do të japin një pasqyrë më të qartë rreth zhvillimit ekonomik në përgjithësi.
Sot, pjesa dërmuese e shteteve ballafaqohen me rënie ekonomike dhe realizimin e projeksioneve të tyre, prandaj ekspertiza ekonomike dhe njohësit e mirë të saj duhet të marrin rolin që u takon në evitimin krizave në vend dhe rajon, për të parandaluar problemet dhe përplasjet sociale. Analiza ekonomike, sot është çështje aktuale për rajonin tonë dhe më gjerë, por kjo tematikë bëhet edhe më e veçantë për shoqëritë në tranzicion, të cilat synojnë integrimin Euroatlantik dhe zhvillimet e trendeve bashkëkohore globale. Ne besojmë se kjo konferencë, që ka tubuar rreth 100 pjesëmarrës, akademikë, mësimdhënës, punonjës shkencorë dhe profesionistë të fushës ekonomike, përmes ideve dhe mendimeve shkencore, do të jep kontributin e saj në orientimin e politikave më të favorshme ekonomike”, shtoi mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.
Në hapjen solemne të konferencës mori pjesë edhe Ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë, Bekim Neziri, i cili në emër të tij personal dhe të Ministrisë së Ekonomisë shprehu kënaqësinë për mundësinë që i është dhënë për të shkëmbyer pikëpamjet dhe opinionet rreth sigurimit të rritjes ekonomike duke theksuar se viteve të fundit falë punës së Rektorit të USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, në këtë institucion janë bërë ndryshime aq të mëdha sa që ky institucion shumë shpejtë do të jetë i ranguar në listat botërore me universitetet më me renome.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha vuri në dukje se kjo konferencë trajton një temë shumë të gjetur për rrethanat në të cilat gjendet biznesi në Maqedoni. ,,Si përkrahës dhe promotor i vlerave të biznesit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, në bashkëpunim me faktorët relevantë dhe sigurisht në konsultim të vazhdueshëm me biznesin, propozon masa dhe ide që t’i ndihmojnë biznesit të frymojë më lirshëm dhe të avancohet. Në këtë frymë, Universiteti Shtetëror i Tetovës, por jo vetëm, po ashtu edhe institucionet tjera janë thirrur dhe të hapur për bashkëpunim në krijimin e politikave të mirëfillta të zhvillimit ekonomik”, nënvizoi Nebi Hoxha.
Dekani i Fakultetit Ekonomik të USHT-së, Doc. dr. Raman Ismaili potencoi se kundërthëniet, debatet dhe polemikat e pjesëmarrësve të kësaj konference, në specializime të ngushta shkencore, do të jenë arsyet e sjelljes së konkluzioneve dhe rekomandimeve me të cilat do të pasurohen teoritë ekonomike e organizative dhe të njëjtat do të gjejnë zbatim edhe në praktikat e veprimtarive ekonomike përkatëse.
,,Kontributi i stafit të Fakultetit Ekonomik sot kurorëzohet edhe me botimin e radhës të revistës shkencore ,,VIZIONI EKONOMIK”. Kjo revistë ndërkombëtare, në përmbajtje paraqet përmbledhje publikimesh shkencore me cilësi të lartë, andaj stafi drejtues është mase i përkushtuar që në kohë sa ma të shkurtë revistën ta bëjë anëtare të familjes së revistave bashkëkohore ndërkombëtare me faktor impakti”, u shpreh Doc. dr. Raman Ismaili.
Ndërsa, Dekani i Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Prof. dr. Naser Raimi tha se organizimi i përbashkët i kësaj konference nga dy fakultetet tona tregon seriozitetin dhe përkushtimin e universitetit tonë ndaj shkencës. ,,Kjo konferencë e përbashkët që organizohet nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Administrimit të Biznesit dëshmon edhe njëherë përkushtimin e udhëhqësisë aktuale të universitetit për ngritjen e cilësisë dhe angazhimin maksimal në punën kërkimore shkencore. Në këtë konferencë do të trajtohen tema të ndryshme dhe do të jepen konkluza mbi gjendjen ekonomike, jo vetëm në vend por edhe në rajon dhe më gjerë”, vlerësoi Prof. dr. Naser Raimi.
Në hapjen e kësaj konference, përpos stafit akademik të USHT-së, morën pjesë, rektorë universitetesh, studiues shkencorë nga vendi dhe rajoni, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, përfaqësues të komunitetit të biznesit, afaristë, njohës të çështjeve ekonomike, si dhe profesorë dhe studentë të Fakultetit Ekonomik.
Comments are closed.