Kryesia e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore realizoi takim zyrtar me Ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Muhamed Hoxha. Qëllimi i takimit ishte urimi i z. Hoxha me rastin e marrjes së detyrës së re si Ministër, si dhe diskutimi i mundësive për bashkëpunim institucional ndërmjet OEMVP dhe Ministrisë.
Kryesia e OEMVP, e udhëhequr nga U.D. Kryetar z. Nuhi Aliu dhe Drejtori Ekzekutiv z. Durim Zekiri, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të OEMVP, z. Nazmi Ejupi, Kryetarin e nderit, z. Xhemail Dauti si dhe anëtarë të Këshillit drejtues, shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe konstruktiv në funksion të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, përmirësimit të mjedisit jetësor dhe avancimit të politikave që ndërlidhen me planifikimin hapësinor.
U.D. Kryetar i OEMVP, z. Nuhi Aliu, theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të komunitetit të biznesit në hartimin dhe zbatimin e politikave mjedisore, duke vënë në pah nevojën për dialog të rregullt ndërinstitucional. Ai potencoi se OEMVP shërben si urë lidhëse mes Ministrisë dhe sektorit privat, veçanërisht në çështje që lidhen me tranzicionin e gjelbër, zbatimin e standardeve mjedisore, lehtësimin e procedurave administrative dhe promovimin e investimeve të qëndrueshme.
Po ashtu, në kuadër të diskutimeve të zhvilluara, Drejtori Ekzekutiv i OEMVP, z. Durim Zekiri, foli për rëndësinë e promovimit të kompanive të gjelbra dhe nxitjes së qëndrueshmërisë në biznes. Ai theksoi se krijimi i politikave stimuluese për ndërmarrjet që investojnë në teknologji të pastra, efiçiencë energjetike dhe praktika të qëndrueshme është thelbësor për zhvillim afatgjatë dhe konkurrues të ekonomisë.
Në këtë kontekst, Kryetari i nderit i OEMVP, z. Xhemail Dauti, theksoi rëndësinë e Ligjit për menaxhimin e paketimit dhe mbeturinave nga paketimi, duke potencuar nevojën për zbatim të drejtë dhe efikas të tij në praktikë.
Ministri Hoxha theksoi se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e konsideron komunitetin e biznesit si partner të rëndësishëm në ndërtimin e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe në harmonizimin e politikave mjedisore me nevojat reale të ekonomisë. OEMVP do të vazhdojë të përfaqësojë interesat e komunitetit të biznesit, duke ofruar gatishmëri për angazhim të vazhdueshëm në iniciativa që kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm.






