Krijimi i një ekonomie të gjelbër: OEMVP ndihmon bizneset në reduktimin e mbetjeve

Në përpjekje për të përmirësuar dhe avancuar praktikat e qëndrueshmërisë dhe menaxhimin e mbetjeve, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka filluar trajnime individuale për disa nga kompanitë anëtare të saj, të përzgjedhura përmes thirrjes publike.

Ky program trajnimi, i ndarë në tetë module, synon të ndihmojë kompanitë në reduktimin e mbetjeve që nga burimi deri në asgjësim, duke përfshirë riciklimin dhe ripërdorimin e produkteve dhe komponentëve që kursejnë energji.

Deri tani, trajnimi është realizuar me sukses tek kompanitë: Kondevo MK, Purplast, Frukt Import, Benton-ni, M-Sorra, BFM dhe M-House, të cilët përfaqësojnë sektorë dhe qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut. Për pesë prej tyre, që gjenerojnë sasi më të mëdha mbetjesh, do të zhvillohen plane të shkurtra për menaxhimin e mbetjeve, duke përfshirë strategji për menaxhimin e mbetjeve dhe sisteme monitorimi.

OEMVP është e përkushtuar për të mbështetur anëtarët e saj në zbatimin e menaxhimit më të suksesshëm të mbetjeve dhe për të kontribuar në mbrojtjen e mjedisit duke siguruar një të ardhme më të qëndrueshme dhe të pastër për të gjithë.

Kjo iniciativë është pjesë e grant projektit të OEMVP “Liderët e Bizneseve të Gjelbërta” © i cili implementohet në bashkëpunim me Shoqatën për Menaxhim dhe Konsulencë MKA-2000 dhe realizohet në kuadër të Projektit të mbështetur nga USAID Maqedonia e Veriut “Aktiviteti për Fuqizimin e Ekosistemit Afarist”, të implementuar nga Konsulenca për Zhvillim Strategjik.