14 Prill 2016 – Në lidhje me ngjarjet e fundit politike dhe thellimit të krizës politike në vend, OEMVP si përfaqësuese e komunitetit të biznesit nuk mund të jetë indiferente sikur asgjë nuk po ndodhë.
Ne reagojmë në vendimet e fundit të pamatura politike, që cënojnë direkt sundimin e ligjit, pa të cilin nuk mund të flasim për funksionim të shtetit e jo më për mundësinë e të bërit biznes.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore bën thirrje për ndalim të “lojrave politike” ku një ditë del zëvendës ministri për të deklaruar një gjë, kurse ditën tjetër del vetë ministri për të deklaruar të kundërtën e të parit, sepse kjo sjellјe e pushtetit do të sjellë në situatë edhe më të rëndë funksionimin e biznesit por edhe sistemit ekonomik në tërësi.
Ne nuk flasim për efekte imediate të cilat do ti sjellë kjo katrahurë e stërzgjatur politike, por në afat të mesëm jo që mundet, por me siguri që do të mbartë me vete stagnim ekonomik. Madje, gjasat janë shumë të mëdha që të fillojë edhe cikli i regresit ekonomik në vend. Ne ndajmë mendimin që kësaj krize politike mund ti paraprijnë skenare, të cilat nuk do ti dëshironte asnjëri.
Me eskalime të këtilla politike çdo rangim i mundshëm i të bërit biznes në Maqedoni nuk është valid, sepse nuk është e mjaftueshme që të jeshë i 12-ti në Doing Business kur sinjalet për mosfunskionim të institucioneve shtetërore janë më se evidente.
Për fund si mënyrë për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike si dhe parimet e sundimit të së drejtës i bëjmë thirrje kryetarit të Republikës së Maqedonisë që të tërheq vendimin e tij për abolim pa asnjë vonesë. Në të kundërtën gjykojmë që mos tërheqja e vendimit do të bëj një presedan, i cili do ti hedh poshtë të gjitha parimet demokratike të funksionimit të një shteti.







