GGA – Shkëmbim përvojash me gratë afariste nga Kosova

22 Qershor 2017 – Grupacioni i Grave afariste pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore në bashkëpunim me Shoqatën e grave Women 4 Women nga Prishtina,  sot organizuan takim me afaristet nga Maqedonia dhe një delegacion me rreth 40 pjesëmarrëse nga Kosova, nga sektori afarist dhe ai joqeveritar.

Mysafirët fillimisht i priti kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta për të vazhduar më pas diskutim pune me gratë afariste me qëllim të shkëmbimit të përvojave nga Kosova dhe Maqedonia. Ai e përshëndeti këtë iniciativë dhe tha se mbështetja institucionale nga ana e komunës nuk do të mungojë dhe u shpreh i sigurtë se takimi i sotëm do t’i ndihmojë ato që të dalin me ide interesante për zhvillimin e bizneseve të tyre.

Numri i bizneseve që drejtohen nga gratë dhe vajzat në vendin tonë është rritur ndjeshëm, por asistenca teknike dhe mbështetja financiare e tyre mbeten ende në shifra të ulëta.  Duke u nisur nga kjo, sipërmarrësia, inovacioni dhe rajonalizimi i bizneseve është një ndër orientimet strategjike të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, me theks të veçantë tek të rinjët dhe sipërmarrësia e gruas.

Gjatë takimit u diskutuan barrierat e shumta të cilat jo rrallë herë ua pamundësojnë grave pjesëmarrjen aktive në sektorin e ekonomisë. Barriera që lidhen me qasjen në pronësi, në burimet financiare dhe ato ekonomike apo dhe në edukimin profesional të cilat vështirësojnë realizimin e iniciativave që gratë mund të kenë për të hapur një biznes apo për të zgjeruar biznesin e tyre.

Në këtë takim, kryetarja e Grupacionit të grave afariste (GGA) pranë OEMVP-së, Gëzime Fejzi  prezantoi rreth veprimtarisë së anëtarëve të Grupacionit, dhe tha që “problematikat e përmendura na kanë ndjekur për vite me radhë, dhe kanë reflektuar edhe në numrin e ulët të grave sipërmarrëse, në numrin e ulët të bizneseve të cilat janë të regjistruara në emrin e grave apo dhe në hezitimin e vajzave të reja për të ndërmarrë nisma  në  sektorin  e  ekonomisë”.

Nënkryetarja e GGA-së, Merita Ramadani Alimi u shpreh që “takimet e tilla si ky i sotmi janë tejet të rëndësishëm për të nxjerrë në pah problemet me të cilat gratë përballen, për të diskutuar rreth nismave të ndërmarra për të adresuar këto barriera dhe mbi të gjitha për të identifikuar politikat e nevojshme të cilat duhet të ndërmerren si nga sektori publik po edhe ai privat për të garantuar qasjen e gruas në sektorin ekonomik.”

Janë shembujt e këtyre grave dhe shumë grave të tjera të cilat duhet të frymëzojnë shumë të reja dhe të nxisin ata që të ndërmarrim hapa për të avancuar rolin që gratë dhe vajzat luajnë në ekonomi të prezantuara si storje suksesi.

Gjithashtu, qëllimi i vizitës së grave nga Kosova u prezantua nga ana e shoqatës së grave Women 4 Women dhe përfaqësuesve të OJQ – Gratë e Brezovicës.

Takimi më pas vijoi me vizitë të bizneseve të udhëhequra nga gratë në Komunën e Gostivarit.