Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore z. Mendi Qyra, i shoqëruar nga Kryetari i Nderit, z. Xhemail Dauti, dhe Drejtori Ekzekutiv, z. Durim Zeqiri, u pritën në takim zyrtar nga Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Gordana Siljanovska Davkova.
Në fjalën e tij, kryetari Qyra theksoi se OEMVP mbetet e përkushtuar ndaj tre shtyllave kryesore, të cilat janë parakushte për zhvillimin ekonomik të vendit: luftimi i korrupsionit, formalizimi i ekonomisë gri dhe sundimi i ligjit. Një nga sfidat kryesore që vazhdon të pengojë zhvillimin e sektorit privat është mungesa e fuqisë punëtore në vend. Në këtë drejtim, z. Qyra prezantoi para presidentes konceptin e OEMVP për rritjen e pagës minimale, duke theksuar se është e domosdoshme të shfrytëzohet maksimalisht potenciali vendor përpara se të kërkohet fuqi punëtore nga jashtë. Të dyja palët u dakorduan se kjo çështje kërkon zgjidhje të qëndrueshme, e cila duhet të nisë me reforma thelbësore në sistemin arsimor.
Presidentja Siljanovska Davkova shprehu gatishmërinë për bashkëpunim, veçanërisht në fushat që janë brenda kompetencave të saj, si vizitat zyrtare në shtete të tjera, duke ftuar OEMVP të kontribuojë me kërkesat dhe ekspertizën e saj. Ajo gjithashtu theksoi mundësinë që përfaqësues të OEMVP të jenë pjesë e delegacioneve zyrtare, kur të krijohet hapësira për këtë.
Për më tepër, përfaqësuesit e OEMVP e përshëndetën iniciativën e Presidentes për krijimin e Këshillit Kombëtar për Bashkëpunim me Diasporën dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë aktive në punën e tij. Në këtë kontekst, Oda propozoi gjithashtu që në kabinetin e Presidentes të përcaktohet një këshilltar ekonomik, si një hallkë e domosdoshme për koordinimin dhe forcimin e komunikimit ndërmjet Odave ekonomike dhe Kabinetit të Presidencës.
Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive, duke konfirmuar rëndësinë e një dialogu të vazhdueshëm ndërmjet komunitetit të biznesit dhe institucioneve më të larta shtetërore për të adresuar sfidat dhe për të krijuar një klimë më të favorshme për zhvillimin ekonomik të vendit.






