Qyra në ceremoninë e ndarjes së bursave të organizuar nga Fondacioni ALBIZ: Investimi tek studentët është çelësi i suksesit
OEMVP si institucion i rëndësishëm, përkrah të rinjtë që ndjekin rrugën e zhvillimit profesional. Kështu deklaroi kryetari i Odës, Mendi Qyra, në fjalën e tij në ceremoninë e ndarjes së Bursave për studentët, të organizuar nga Fondacioni ALBIZ. Qyra nënvizoi se investimi në arsim dhe tek kuadrot e rinj, është çelësi i zhvillimit ekonomik dhe social të shoqërisë sonë.
“Jemi thellë të bindur se rrugën të cilën e kemi marrë, është e duhura dhe se argument për këtë është vetë ekzistimi i institucionit tuaj (ALBIZ) për më tepër se një dekadë. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, si përfaqësuese e sektorit privat, është gjithmonë e gatshme të mbështesë iniciativa të tilla, sepse një sistem i fortë arsimor është faktor kyç për një të ardhme të sigurt të brezave që vijojnë. Por ne si komunitet i biznesit mendojmë se në momente të caktuara, duhet ta zhveshim petkun e modestisë, dhe më zëshëm të promovojmë arritjet tona si Fondacioni ALBIZ, poashtu edhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore”, tha kryetari Mendi Qyra.
Ai theksoi se OEMVP ka shënuar arritje të mëdha, ndërsa e fundit është fitimi i një kontesti në Gjykatën Kushtetuese, me çka u rrënua tatimi solidar, e si rrjedhojë bizneseve do të u kthehen plotë 50 milionë euro, një mundësi që nga këto mjete të përfitojnë edhe studentët. Sipas kryetarit Qyra, rezultatet janë evidente për organizimin e mirëfilltë dhe profesional të biznesit shqiptar në vend.
“Andaj inkurajoj studentët që të punojnë me përkushtim për arritjen e qëllimeve të tyre.
Ndërsa, studentët që kanë marrë bursa duhet të kujtojnë gjithmonë se ata janë pasues të një tradite të madhe, që i nxit ata të luajnë një rol aktiv në përmirësimin e jetës shoqërore. Ju inkurajoj të punoni me përkushtim dhe pasion për të arritur qëllimet tuaja, duke shfrytëzuar çdo mundësi që ofrojnë programet e tilla. Uroj që ky vit akademik t’ju sjellë përvoja të pasura dhe mundësi të panumërta për t’u rritur si individë dhe profesionistë, ndërsa OEMVP dhe anëtarësia e saj, ju qëndron afër për të kryer punën praktike dhe punësim permanent, si mënyrë e vetme e përmbylljes së hallkës së këtij cikli të shkëlqyeshëm mes punëdhënësve dhe fuqisë punëtore të re”, deklaroi kryetari i OEMVP, Mendi Qyra.
Si kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, ai shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Fondacionit ALBIZ për bashkëpunimin e shkëlqyer deri më tani, bashkëpunim i cili do vazhdohet të thellohet.