Promovimi i Praktikave ESG
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, organizoi një trajnim mbi “Promovimin e praktikave të ESG (Mjedisit, Shoqërisë dhe Qeverisjes) në Ballkanin Perëndimor”. Ky trajnim i dizajnuar për të pajisur bizneset, OJQ-të dhe institucionet akademike me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për të integruar në mënyrë efektive parimet ESG në punën e tyre, përfshiu tematika kryesore si standardet ESG, raportimi, menaxhimi i rreziqeve dhe identifikimi i mundësive për zhvillimin e biznesit të qëndrueshëm.
Pjesëmarrësit u udhëzuan mbi kornizat rregullatore, procesin e raportimit dhe menaxhimin e rreziqeve sipas praktikave më të mira të ESG. Përveç sesioneve teorike, u realizua edhe një demonstrim praktik i zgjidhjeve softuerike për ESG, duke prezantuar mjete konkrete për mbledhjen, analizimin dhe raportimin e të dhënave.
Ky trajnim gjithashtu ofroi një mundësi të vlefshme për rrjetëzim, duke lehtësuar shkëmbimin e ideve dhe bashkëpunimin midis bizneseve të interesuara për një qasje më të qëndrueshme.
Projekti mbështetet nga Komisioni Evropian përmes Fondit të Ballkanit Perëndimor.