Debat publik: sa bizneset dhe universitetet bashkëpunojnë?

13 Prill 2016 –  Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha sot morri pjesë në debatin publik të organizuar nga Universiteti Shtetërorë i Tetovës, mbi temën “Bashkëpunimi mes universitetit dhe industrisë, sfidat dhe mundësitë e ndikimit në zhvillimin ekonomik”.

Në këtë debat, në pjesën e rezervuar për publikun, të ftuar ishin biznese, përfaqësuesit e fakulteteve që janë në mënyre direkte të lidhura me biznesin, profesorë dhe studentë.

Ajo që u diskutua në këtë debat ishte se sa në të vërtetë bizneset dhe universitetet bashkëpunojnë mes veti, në formë që të zvogëlojnë diskrepancën në mes kërkesës për fuqi puntore dhe profileve ekzistuese profesionale në tregun e punës. Komuniteti i biznesit dhe universitetet paraqesin dy faktorët shumë të rëndësishëm për zhvillimin socio-ekonomik, meqë të parët ofrojnë mundësi punësimi, kurse të dytët prodhojnë kuadro të reja në vazhdimësi.

Kryetari Nebi Hoxha, tha që Oda si përfaqësuese e biznesit shqiptar në Maqedoni gjithmonë angazhohet në mbrojtjen e interesave të kompanive të saja anëtare, duke mos përjashtuar këtu as fuqinë punëtore të cilën ato e posedojnë apo e kërkojnë. Rrjedhimisht, përvoja e komunitetit të biznesit tregon se sa më shumë të jetë i specifikuar profili i puntorit të kërkuar, aq më rëndë është të gjindet një i tillë në treg. Çka është edhe më brengosëse, edhe kur ndodh të gjejnë atë, në të shumtën e rasteve i njëjti nuk është i përgatitur profesionalisht në përputhje me pritjet që dalin nga diplomimi i tij.

Andaj,  Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore, kërkon përputhje mes kuadrove që prodhohen në universitete dhe atyre që kërkohen në treg,  përmes kontributit të saj në hulumtimin e nevojave të biznesit që do të nxirrte në pah proporcionin e saktë në mes të fuqisë potenciale puntore karrshi nevojës së tregut, dhe më pas të përpilohen politika nxitëse për drejtimet deficitare (p.sh. përmes vendosjes së kuotave, dhënies së stipendioneve, sigurimin e vendpunësimit pas diplomimit e tjera), kurse nga ana tjetër vendosjen e masave më selektive për pranimin e studentëve në drejtimet të cilat zakonisht janë më të përzgjedhura në mesin a maturantëve të shkollave të mesme.

Përveç universiteteve, edhe vetë bizneset duhet të angazhohen në tërheqjen e nxënësve që të shkathtësohen në përputhshmëri me nevojat e tyre duke ju ofruar stipendione dhe duke  u siguruar punësim në kompanitë që udhëheqin.  Me pak fjalë, komunikimi dhe bashkëpunimi mes biznesit dhe universiteteve është i patjetërsueshëm – tha kryetari Hoxha.

Untitled1

Untitled2

Comments are closed.