U.D. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Nuhi Aliu, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv, z. Durim Zekiri, realizuan takim me Drejtorin e ri gjeneral të HALKBANK AD Skopje, z.Fatih Shahbaz dhe Drejtorin ekzekutiv z. Berkan Imeri.
Në takim u diskutua mbi mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe HALKBANK AD Skopje, një partner i rëndësishëm dhe sponzor shumëvjeçar i OEMVP-së. Palët vlerësuan rezultatet e deritanishme të bashkëpunimit dhe identifikuan fusha të reja ku ky partneritet mund të zgjerohet dhe të sjellë përfitime konkrete për komunitetin e biznesit.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e programeve dhe iniciativave të bankës që synojnë fuqizimin e sektorit privat, përmes ofrimit të mjeteve financiare me kushte të lehtësuara për investime. Veçanërisht u vlerësuan masat që mbështesin gratë në biznes, përfshirë paketat e dedikuara për gratë sipërmarrëse, si dhe programet e orientuara drejt sipërmarrësve të rinj (start-up).
Përmes këtyre projekteve, HALKBANK AD Skopje synon të krijojë një ekosistem më të qëndrueshëm dhe më mbështetës për zhvillimin e ndërmarrësisë, ndërsa OEMVP ri konfirmoi gatishmërinë e saj për të ofruar platformën e nevojshme për informim, bashkëpunim dhe përfshirje të bizneseve në këto programe.






