01.12.2025 – Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, U.D. Kryetar, z.Nuhi Aliu, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv, z.Durim Zekiri, pritën në takim Drejtoreshën e Agjencisë për Inovacione, Zhvillim Shkencoro-Teknologjik dhe Sipërmarrësi (INOVA), znj. Daniela Dimovska.
Gjatë takimit u diskutua rreth projekteve dhe thirrjeve që INOVA do të hapë në periudhën në vijim. Aktualisht, agjencia është në proces të përpilimit të plan programit të ri, i cili do të përfshijë disa sektorë prioritarë. OEMVP do të kontribuojë në këtë proces me propozimet dhe rekomandimet e saj, me qëllim që programi të adresojë sa më mirë nevojat e komunitetit të biznesit.
Agjencia për Inovacione, Zhvillim Shkencoro-Teknologjik dhe Ndërmarrësi, ka marrë të gjitha kompetencat në pajtim me Ligjin e ri për veprimtarinë inovative, zhvillimin shkencoro-teknologjik dhe sipërmarrësi.
Ky takim shërbeu gjithashtu si një mundësi për njoftim më të afërt mes palëve, si dhe për të konfirmuar vullnetin e ndërsjellë për bashkëpunim të mëtejmë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe inovativ të vendit.
OEMVP përfaqëson një partner të fuqishëm në këtë bashkëpunim, duke kontribuar në zbatimin e projekteve që nxisin zhvillim dhe inovacion.






