Takim Pune ndërmjet OEMVP dhe Universitetit të Tetovës: Bashkëpunim për Zhvillim Ekonomik dhe Përgatitje Profesionale
28.05.2024, Shkup- Në hapësirat e OEMVP Kryetari Qyra dhe anëtarët e bordit drejtues realizuan takim pune me rektorin e Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Në këtë takim u diskutuan një sërë temash që lidhen me zhvillimet ekonomike, sfidat dhe perspektivat e ardhshme të vendit tonë, nevojat e tregut të punës, si dhe thellimi i bashkëpunimit në mes institucioneve arsimore dhe sektorit të biznesit me qëllim që të prodhohen kuadro adekuate, gjithashtu dhe për të luftuar ikjen e të rinjëve jashtë vendit.
Kryetari Qyra, deklaroi se OEMVP do të vazhdon të mbetet një partner kryesor i institucioneve shtetërore si dhe atyre arsimore-shkencore, duke konsideruar fuqinë punëtore si një aset të rëndësishëm për vendin, dhe duke përgaditur atë në mënyrë që të jenë të aftë të përballojnë sfidat e tregut të punës.
“Ne, si Odë Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, do të vazhdojmë të angazhohemi për të gjetur zgjidhje inovative dhe afatgjata për sfidat mungesës së fuqisë punëtore në RMV. Përmes bashkëpunimit dhe vendosmërisë së përbashkët, do t’i japim mundësi vendit tonë të krijojë një ekonomi të qëndrueshme me një treg pune të qëndrueshëm që do të mundësojë përparimin dhe vizionin e afaristëve të çmuar të vendit,” tha Kryetari Qyra.
Gjithashtu, u bisedua edhe për reformat arsimore, azhurimin e kurrikulave si dhe reforma thelbësore në administratë në shërbim të përmirësimit të ekosistemit afarist në vend.
Rektori i UT Prof. Dr. Jusuf Zejneli potencoi se e çmon angazhimin dhe interesimin e sektorit të biznesit për ngritjen e nivelit dhe cilësisë së arsimit në vend, dhe theksoi që partneri më i mirë dhe kryesor në këtë rrugëtim është Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.
Në këtë takim diskutuan të gjithë anëtarët prezent të OEMVP si dhe drejtori ekzekutiv.
OEMVP, institucionet shtetërore dhe ato arsimore-shkencore do të punojnë ngushtë për të krijuar programe të përbashkëta që do të përgadisin studentët për sfidat e tregut të punës, duke u siguruar që të rinjtë të kenë mundësi më të mira për zhvillim profesional brenda vendit.