Takim me konzorciumin norvegjez NorMak

   Më 16 Janar 2013 në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore u mbajt takim në mes konzorciumit norvegjez dhe përfaqësuesve të OEMVP-së.

  Para fillimit të takimit u mbajt një konferencë për shtyp dhe më pas kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore mbajti një fjalim përshëndetës gjatë të cilit shprehu interesim për bashkëpunim dhe prezantoi punën e kompanive anëtare të OEMVP-së.

      “Zona e lirë e Tetovës si duket do të fitojë epilogun e saj disa vjeçar. Do të jemi dëshmitarë se si do të funksionojë partneriteti privat-publik me investitorë të huaj. Ndërsa, kemi kënaqësinë që kësaj radhe është fituese një kompani me kapital shtetërorë nga një shtet i cili ka një konsideratë të veçantë për ne” – tha Menderes Kuçi, kryetari i OEMVP-së.

  Gjithashtu, nga ana e drejtorit ekzekutiv të OEMVP-së u prezantuan mundësitë e investimit në Maqedoni dhe kushtet e përshtatshme që ofron ky vend.

   Konzorciumi norvegjez i përbërë prej korporatës për zhvillim industrial të Norvegjisë SIVA, kompanisë “Innovation Norway”, ”Normac Investment Group”, kompanisë për zhvillimit të biznesit të vogël “Smaabedrifforbundet”, kompanisë që merret me transport mallrash dhe investime “Tonnevold” si dhe të kompanisë së njohur amerikane “Blackard Group”, para anëtarëve të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore prezantuan planin e tyre për zhvillimin e Zonës së Lirë Ekonomike në Tetovë.

  Të gjitha këto kompani të fuqishme janë bashkuar për t`i dhënë një kuptim të plotë zonës ekonomike të lirë në Tetovë. Çdo njëra nga këto kompani nga këndi i tyre i fushëveprimit si investim, zhvillim biznesi, marketing, transport ndërkombëtar e ndërtim, synon ngritjen e një inkubatori të biznesit në Tetovë, i cili, jo vetëm që do të gjenerojë punësime të reja, por gjithashtu e ka perspektivën e një kontribuesit në zhvillimin rajonal duke inkorporuar edhe biznese tjera të vendit dhe me këtë duke e shtuar atmosferën biznesore në Maqedoni, drejtim në të cilin kontributin e saj do ta jep edhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore.


Comments are closed.