Prezantimi zyrtar i projektit të USAID – Partneritet për Rregullativë më të mirë biznesore
19 Dhjetor 2016 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot prezantoi projektin – Partneriteti për rregullativë më të mirë biznesore, projekt ky i financuar nga USAID, të cilin e implementon bashkë me dy odat tjera, Odën Ekonomike të Maqedonisë dhe MASIT.
Partneri kryesor i projektit është EPI CENTAR dhe ka për qëllim përmirësimin dhe përshtatjen e rregullativës ligjore për mikro dhe bizneset e vogla dhe angazhimin e organizatave të biznesit në një dialog konstruktiv në riorganizimin e rregullativës, e gjithë kjo me synim që të zvogëlohet presioni mbi kompanitë i shkaktuar nga ndryshimet e shpeshta në rregullativën ligjore.
Në fjalimin e tij, drejtori i misionit të USAID në Maqedoni Xhejms Stajn theksoi se “USAID e përkrah zhvillimin ekonomik të Maqedonisë në 25 vitet e fundit. Qëllimi jonë kryesor është të përmirësojmë konkurueshmërinë e bizneseve të vogla dhe të mesme, të ju ndihmojmë të rriten dhe të krijojnë vende të reja të punës”.
“Kjo është herë e parë që tre odat ekonomike në Maqedoni të bashkohen për të zbatuar një projekt që synon përmirësimin e rregullativës afariste. Kjo sinergji paraqet një precedent të mirë, sepse zëri i bizneseve tona do të jetë “më i zëshëm” dhe përfshirja e komunitetit të biznesit më e gjëre. Ky projekt dëshmon se perspektivat tona mund të jenë të ndryshme, por problemet janë të njëjta; ne mund të dallojmë në trajtimin e çështjeve të rëndësishme për bizneset, por kemi të njëjtin mision – zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.” – tha Fatmir Bytyqi, drejtor ekzekutiv i OEMVP-së.
Projekti do të jetë i fokusuar kryesisht në katër sektorët: bujqësi, tekstil, teknologjitë informative, turizëm dhe ndërtimtari, meqë këta sektorë janë të përfshirë në të gjithë rajonet gjeografike të Maqedonisë.
Për realizimin e aktiviteteve të projektit në katër vitet e ardhshme, nga SHBA përmes USAID do të investohen 1.902.511 dollarë amerikan.