OEMVP prezanton platformën ekonomike para Bashkimit Demokratik për Integrim
10.02.2020, Shkup – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore mirëpret në takim partinë politike Bashkimi Demokratik për Integrim, e kryesuar nga z. Ali Ahmeti. Duke u nisur nga tradita e OEMVP-së që të realizojë takime pune me të gjitha partitë politike në vend, Platforma ekonomike për zhvillim të Republikës së Maqedonisë së Veriut e përgaditur nga vetë oda prezantohet dhe ajo njëkohësisht shpalos pikat kryesore kah të cilat duhet të korrigjohen politikat apo masat që i ndërmerr Qeveria në lidhje me zhvillimin ekonomik të vendit.
Platforma ekonomike e propozuar u prezantua para BDI-së. Kjo platformë pasqyron gjendjen reale të sektorëve në të cilët duhet të ketë përmirësim dhe inkuadrim të odave ekonomike në të gjitha fushat që tangojnë bizneset. Parimet themelore të kësaj platforme janë: transparenca dhe llogaridhënia, zvogëlim i zhvillimit të pabarabartë ekonomik, ulja e papunësisë dhe të tjera. Theks i veçantë në masat prioritare të propozuara në këtë platformë vendohet në: zonën e Vizbegut, ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, Kodra e Diellit, hapja e terminalit doganor në Jazhincë dhe të ngjajshme.
“Në prag të periudhës parazhgjedhore si praktikë dhe traditë e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore mbajtëm takim konsultativ me Bashkimin Denmokratik për Integrim. Ne si Odë Ekonomike në vazhdimësi por edhe në strategjinë tonë kemi bashkëpunimin dhe dialogun me të gjitha partitë politike dhe me shpresë që partia që do të jetë pjesë e Qeverisë do të vazhdon bashkëpunimin dhe do të kemi një fokus të veçantë në ekonominë e vendit” theksoi z. Hoxha.
“Ishte kënaqësi takimi me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore me çka për çështje substanciale nuk ka dalllime mes Odës dhe Programit ekonomik të Bashkimit Demokratik për Integrim. Edhe një herë apelova tek Oda për komunikim, për bashkëpunim, për ide në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit kështuqë mbetet që të gjitha çështjet që janë ngritur të integrohen brenda një programi të dakorduar nga palët”u shpreh z. Ahmeti.