OEMVP prezanton platformën 4 vjeçare të zhvillimit ekonomik, në fokus fuqia punëtore rritja e pagës minimale në 30,000 denarë dhe ulja e kontributeve në 32% nga paga neto.

Kryetari i OEMVP z. Qyra së bashku me anëtarë të udhëheqësisë së Odës zhvilluan takim me përfaqësues të partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim, gjegjësisht z. Bujar Osmani, z. Fatmir Besimi dhe z. Kreshnik Bekteshi,  në të cilin u prezantua Platforma për zhvillim ekonomik të Maqedonisë së Veriut, platformë strategjike e OEMVP të cilën qeveria e ardhshme do duhet ta zbatojë.

Ndër tjerash u prezantua edhe Manifesti Ekonomik për zhvillim të përshpejtuar që si dokument parasheh reforma rrënjësore por edhe vizionin e asaj se ku duhet të gjendet ekonomia dhe vendi ynë në përgjithësi në 10 vitet e ardhme.

Kryetari Qyra potencoi edhe problematikën e fuqisë punëtore, problematikë të cilën OEMVP bindshëm e cilëson fenomen alarmant për vendin tonë, dhe se duhet me urgjencë të ndërmerren masa për ta ndaluar ikjen e të rinjve nga vendi, duke theksuar kërkesën e Odës për rritje të pagës minimale dhe ulje të kontributeve duke qenë se jemi jo konkurrent me vendet e rajonit.  Ai prezantoi konceptin e OEMVP-së për ulje të kontributeve dhe rritje të pagës minimale si parakusht për përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve me çka luftohet edhe migrimi si dukuri që ka kapluar.

Fjalën e mori edhe drejtori ekzekutiv, ku i shprehi shqetësimet e OEMVP-së në lidhje me fuqinë punëtore gjegjësisht me të metat e sistemit të vendit ku agjencia për punësim e RMV-së duhet të rikonstruohet si koncept, sepse mbi 100.000 kërkues aktiv të punës nuk mund të përmbushin nevojën e sektorit privat për 20.000 punonjës. Ai shtoi se kjo është një tregues relevant i asaj se sa keqpërdorime ndodhin në vendin tonë, ndërkaq të njëjtat i shkaktojnë humbje të mëdha ekonomisë dhe arkës shtetërore.

Po ashtu u shtjelluan çështje nga më të ndryshmet siç janë  zonat ekonomike të gjelbra, zona e Vizbegut dhe shndërrimi i tyre në zona me interes kombëtarë, tatimet, normat doganore, kthimi i TVSH-së, Fondi për inovacion dhe zhvillim teknologjik, investimet etj.

Ministrat në fjalë, morën përsipër që kërkesat tona të shqyrtohen dhe të vendosen në platformën e tyre 4 vjeçare, ndërkaq, minstri Bekteshi, edhe para mediave potencoi iniciativat e dëlira të OEMVP-së të cilat kanë përqëllim të përmirësojnë jetën e qytetarëve edhe pse këto iniciativa do bien mbi supet e bizneseve.

OEMVP vazhdon traditën e saj të përpilimit të politikave makroekonomike, ndërkaq tani më të njejtat pranohen edhe nga faktorët relevant politik në vend.

Kujtojmë, Platforma e OEMVP-së për zvhillim ekonomik parasheh 9 kapituj të sektorëve të ndryshme, ku secila prej tyre trajton probleme apo jep solucione bashkëkohore për nxitje të një ekonomie të shpejtë dhe konkurruese.