Bashkëpunimi në mes OEMVP dhe Universiteteve për të luftuar mungesën e fuqisë punëtore në vend

Shkup, 28.03.2024 – Në tryezën e rrumbullakët “Arsimim për punësim” të organizuar nga Universiteti Nënë Tereza në Shkup, përfaqësuesit e akademisë dhe komunitetit të biznesit u takuan për të diskutuar në lidhje me gjetjen e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballet ekonomia jonë, duke përfshirë problemet e ikjes së fuqisë punëtore dhe masat për përmirësimin e koordinimit midis arsimit të lartë dhe tregut të punës.

Kryetari Qyra  theksoi se OEMVP ka ndërmarrë masa për të adresuar problematikën e largimit të të rinjve nga vendi dhe mungesën e fuqisë punëtore, duke krijuar një platformë, e cila në mënyrë strategjike do kontribuojë në zgjidhjen e problemit të fuqisë punëtore. z. Qyra ceki që OEMVP ka kërkuar nga Qeveria e ardhshme që të kemi rritja të pagës minimale në 30.000 denarë, dhe të kemi ulje të kontributeve në 32% nga paga neto, me qëllim që të jemi më të konkurrentë në treg dhe të mos humbasim betejën me vendet e rajonit.

Me një mungesë prej rreth 25,000 vendeve të lira pune në Maqedoninë e Veriut dhe 100,000 persona që kërkojnë punë, është koha për një qasje më efikase në këtë sfidë duke insistuar në arsimin profesional për të përshtatur nevojat e tregut të punës.

Rektori i Universitetit, Izet Zeqiri, para studentëve prezantoi profilet e kërkesave aktuale të tregut të punës, duke ofruar një panoramë të qartë për mundësitë dhe nevojat e tregut.

Kryetari Qyra bëri thirrje që bashkë me institucionet arsimore, qeveritare, Agjencinë e punësimit të RMV, dhe të gjithë faktorët relevant, të ndërmerren masa me qëllim që të ndalohet ky fenomen dhe të krijohet perspektivë e re që të rinjtë të shohin të ardhmen e tyre në vendin tonë.