28-29.05.2024, Vjenë, Austri – U mbajt takimi i organizuar nga Qendra për Reformën në Raportim Financiar (CFRR), Praktikat e Qeverisjes Globale pranë Bankës Botërore me temë “Përgjigje ndaj kërkesave dhe sfidave të reja në raportimin financiar dhe të qëndrueshmërisë së korporatave” ( “Responding to New Requirements and Challenges in Corporate Financial and Sustainability Reporting)”.
Përfaqësues nga OEMVP ishte nënkryetari i Këshillit mbikëqyrës, z. Arben Halili, ndërsa kishte edhe përfaqësues të tjerë nga 11 vende të Ballkanit dhe Europës Lindore. Ky takim synoi të adresojë sfidat e raportimit financiar dhe të qëndrueshmërisë së korporatave në rajon.
Sfidat e raportimit financiar dhe jofinanciar të korporatave, së bashku me rritjen e përqëndrimit në raportimin e qëndrueshmërisë dhe rolin e inteligjencës artificiale, ishin pikat kyçe të diskutimit në takim. Prania e inteligjencës artificiale në procesin e raportimit dhe auditimit financiar mund të ndikojë në vendimet politike, duke kërkuar një kuadër ligjor të përshtatshëm me standardet ndërkombëtare.
Ky takim vjen në një moment kur vende si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe të tjera përjetojnë sfida të ndryshme në zhvillimin dhe zbatimin e praktikave të mira në raportimin financiar. Prania e përfaqësuesve nga këto vende ndihmon në përcaktimin e hapave të nevojshëm për të adresuar këto sfida dhe për të ndihmuar në përparimin e sistemeve të tyre financiare dhe të raportimit.






