22 Maj 2024, në Shkup, Ambasada e Republikës së Sllovenisë së bashku me Asociacionin e afaristëve sllovenë dhe maqedonas organizuan konferencën ekonomike me titull “Çfarë na sollën 20 vitet e anëtarësimit në BE në fushën ekonomike”
Në këtë takim, prezent ishin figura eminente të vendit nga fusha ekonomike, politike por edhe asaj diplomatike, të cilët ndoqën prezantimin e ecurisë zhvillimore të Sllovenisë, por edhe panelin e diskutimit me ekspert të fushës.
“Sllovenia fitoi avantazhe financiare dhe zhvillimore me anëtarësimin në BE, si qytetarë të BE-së, mundësi për punësim në shtetet e tjera anëtare, mundësi për të zhvilluar biznese brenda BE-së, dhe shumë përparësi tjera. Anëtarësimi ndikoi në procedurat doganore duke i lehtësuar ato dhe e njëjta rriti përparësitë konkurruese të kompanive dhe të vetë shtetit Slloven”.
Si përkrahës i Euro-integrimeve, prezent ishte edhe Kryetari i OEMVP-së z. Mendi Qyra, duke demonstruar gatishmërinë për të qenë afër çdo ngjarje e cila synon përmirësimin e gjendjes së vendit tonë në raport me parakushtet për fillimin e negocimit me BE-në si dhe përmbylljen e këtij procesi me sukses.“Duhet të merret shembull modeli i Republikës së Sllovenisë, qoftë në aspekt të reformave të cilat i paraprinë anëtarësimit, e aq më shumë, si stimul arritjet e Sllovenisë që nga data e anëtarësimit në BE. Vendi ynë ka nevojë të jetë pjesë e kësaj organizate, dhe se duhet të bëhet çmos që ajo të arrihet një ditë e më parë, sepse koha e cila kalon duke mos qenë pjesë e BE-së, është kohë në humbje të përfitimeve potenciale që ajo ofron. Ekonomia e vendit tonë nuk mund të përballojë shumë gjatë nëse nuk anëtarësohemi dhe integrohemi në këtë treg të madh ekonomik”, u prononcua Kryetari i OEMVP-së Mendi Qyra sa i përket rëndësisë së euro integrimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
OEMVP vlerëson se Fokusi kryesor i vendit tonë duhet të jetë Bashkimi Evropian, dhe se me këtë përcaktim të rëndësishëm të vendit tonë, nuk duhet të bëhen kompromise, aq më pak të tipit politik dhe atij ekonomik.






