OEMVP në takim zyrtar me Drejtorinë e të Hyrave Publike: Reforma strategjike për përmirësimin e politikave fiskale dhe mbështetje për bizneset vendore

25.10.2024, Shkup – Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), z. Mendi Qyra, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv, z. Durim Zekiri, dhe anëtarin e Këshillit Drejtues të OEMVP-së, z. Sami Morina, zhvilluan një takim zyrtar me Drejtorinë e të Hyrave Publike, ku u pritën nga Drejtoresha e këtij institucioni, znj. Elena Petrova.

Ky takim u realizua në vazhdën e aktiviteteve të parapara në planin vjetor, kështu duke adresuar kërkesat dhe ankesat e anëtarësisë së odës sa i përket punës së tyre me këtë institucion shumë të rëndësishëm.

Përgjatë diskutimit, Kryetari Qyra foli për shumë tema të cilat tangojnë biznesin në përgjithsi e sidomos problemet që bizneset hasin gjatë re investimit të fitimit, ekonominë gri dhe luftën kundër saj e kështu me radhë. Në këtë takim u bisedua për gjetjen e zgjidhjeve të këtyre dukurive apo problemeve, me qëllim që të ndihmohen bizneset me realizimin e të drejtave të tyre, e sidomos nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të institucioneve përkatëse, me çka të njejtat do të shërbejnë bizneset në mënyre më efiçiente.

U shqyrtuan edhe çështje kyçe për zhvillimin e politikave fiskale mbështetëse për sektorin privat dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Diskutimet përfshinë  krijimin e lehtësimeve për bizneset vendore, me qëllim të stimulimit të rritjes dhe zhvillimit ekonomik.

Në bisedë u inkuadrua edhe z. Sami Morina, i cili shprehi shqetësimet në lidhje me vonesën e kthimit të TVSH-së, gjë e cila po rëndon shumë likuiditetin e kompanive, ndërkaq edhe sygjeroi që në të ardhmen të shqyrtohet mundësia e rimbursimit të të njejtës përgjatë importit të produkteve apo shërbimeve, me qëllim që të mos mbahen peng mjetet likuide të kompanive.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Drejtoria e të Hyrave Publike qëllim të përbashkët kanë luftën kundër ekonomisë joformale, duke synuar zvogëlimin e këtij fenomeni dhe krijimin e një mjedisi më transparent dhe të ndershëm për bizneset vendore.

OEMVP mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me institucionet kryesore, duke vazhduar të veprojë në mënyrë aktive për sigurimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat në Maqedoninë e Veriut.