Forumi i Biznesit dhe promovimi i edicionit të dytë të Librit të Bardhë për praktikat e mira filantropike dhe të përgjegjësisë shoqërore të korporatave

08.10.2024, Shkup – Në hapësirat e hotel Actor u mbajt Forumi i Biznesit me temën “Përgjegjësia shoqërore e korporatave, filantropia dhe politikat qeveritare: Bashkëpunim për një shoqëri më të fuqishme”.

Në kuadër të ngjarjes u zhvillua paneli i diskutimit i udhëhequr nga pjesëmarrës të shquar nga sektori privat dhe ekspertë në këtë fushë: z. Besir Dernjani, drejtor i Fondacionit Albiz, z. Besnik Ademi, drejtor i kompanisë Eco-fluid, prof. dr. Veland Ramadani nga UEJL dhe z. Muhamed Haxhipazi nga Halkbank. U prezantuan gjithashtu praktikat më të mira të kompanive në këtë sektor dhe u ndanë mirënjohje për Pivara Skopje, ZSF KOM, Maliqi Group, Uniqa Maqedoni, Euro Aktiva, Dauti Komerc, Ambrela, Silkapor dhe Trim Lum.

Në këtë ngjarje u promovua edhe edicioni i dytë i Librit të Bardhë, i përpiluar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, ku prezantohen tema nga filantropia dhe përgjegjësia shoqërore korporative në vend. Libri i Bardhë promovon aktivitetet e kompanive anëtare për praktika të mira për filantropinë dhe PSHK, si dhe inkurajon anëtarët e saj, por edhe bizneset në përgjithësi për një qasje strategjike ndaj këtyre temave të rëndësishme shoqërore.

“Libri i Bardhë është një reflektim i rëndësishëm i kontributit që japin kompanitë anëtare të OEMVP për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shoqërisë sonë. Ne jemi krenarë për bujarinë e këtyre kompanive, të cilët mbështesin projekte të rëndësishme dhe sjellin ndryshime pozitive në komunitet. Ky libër, përveçse është një përmbledhje e përpjekjeve tona, është edhe një thirrje për veprim. Ne i inkurajojmë të gjithë anëtarët tanë dhe komunitetin që të përfshihen në projekte që ndihmojnë ata që kanë nevojë,” tha kryetari i OEMVP, z. Mendi Qyra.

Zgjedhja e kompanive nga një numër i madh kompanish donatore, është bërë nga ekipi i zyrës ekzekutive të OE MVP, bazuar në disponueshmërinë e tyre dhe kontributin për zgjidhjen e problemeve shoqërore dhe ndikimin afatgjatë që ata e krijojnë.

Forumi i Biznesit është pjesë e projektit të USAID-it “Partneritete për donacion” i implementuar nga Konekt në partneritet me Qendrën Evropiane për të Drejtën Jofitimprurëse ECNL, Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Indigo.