ANTPRESS
OEMVP – Mundësi të reja për të rinjtë dhe gratë

OEMVP – Mundësi të reja për të rinjtë dhe gratë

18.05.2017– Të udhëhequr nga ideja se grupe të caktuara të qytetarëve kanë nevojë për nxitje për krijimin e historive të suksesshme të biznesit, prej sot, filloi me punë Create Hub në Maqedoni, i hapur nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore. Qëllimi kryesor i HUB është t’ju jep mundësi dhe mbështetje të rinjve, grave sipërmarrëse dhe grave nga rajonet më pak të zhvilluara të Maqedonisë për të inkurajuar punësimin e tyre dhe pavarësinë financiare.

HUB-i do të ofrojë hapësirë pune në të gjithë Maqedoninë, konsultime me ekspertë, seminare dhe trajnime, mentorim, rrjetëzim dhe lehtësim në qasje deri tek burimet alternative të financimit.

Për Fatmir Bytyqi, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), ky biznes HUB do të sigurojë kushte dhe mjete për arsimin dhe rrjetëzimin e ndërmarrësve të rinj, zhvillimin e inovacioneve dhe forcimin e bizneseve, duke kontribuar kështu në lëvizjet pozitive në drejtim të zhvillimit ekonomik.

“Synojmë përfshirje më të madhe të të rinjve dhe grave në biznes, duke kanalizuar potencialin dhe energjinë e tyre dhe kthimin e të njëjtave në projekte efektive dhe financiarisht të qëndrueshme. Create Hub do të jetë një botë në të cilën zhvillimi dhe suksesi do të jenë të pashmangshme dhe për këtë arsye ne ftojmë dhe inkurajojmë të gjithë të rinjtë e interesuar për të aplikuar dhe për të fituar mundësinë dhe mbështetjen të punojnë atë çfarë duan dhe të bëhen ajo që ata duan të jenë “, tha Bytyqi në ceremoninë e sotme të hapjes së Create Hub.

CREATE Hub-i do të jetë i vendosur në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore Maqedonisë dhe është i mbështetur nga Programi për rritje të punësueshmërisë në treg (Increasing Market Employability – IME) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), dhe i zbatuar nga Swisscontact dhe partneri lokal PREDA Plus.

Gjatë promovimit sot, drejtori i Fondacionit për Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik PREDA Plus, Marjan Stepanovski, tha që pret ky biznes HUB të ketë një ndikim pozitiv ndaj sfidave sociale dhe ekonomike.

“Ideja kryesore e këtij projekti për të materializuar idenë fillestare në një biznes të vërtetë të qëndrueshëm dhe mbështetja e kompanive të sapo formuara nga të rinjtë dhe gratë është e një rëndësie të madhe për të gjithë shoqërinë. Sinqerisht shpresoj që Create Hub me shërbimet dhe mentorimin do të ofrojë mbështetjen e duhur të ideve, talenteve dhe inovacioneve “, theksoi Stepanovski.

Programi për rritjne e punësueshmërisë së tregut për disa vjet mbështet iniciativat që dalin nga sektori privat për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe rritjen e punësimit kryesisht të grave dhe të rinjve.

Stefan Tomaxhan, zëvendës shef i misionit të Ambasadës së Zvicrës në Republikën e Maqedonisë, në fjalimin e tij përshëndetës në promovimin sot theksoi se përkrahja e sipërmarrjes, gjegjësisht e biznes komunitetit në Maqedoni është një prej objektivave strategjik të tyre.

“Zvicra është fuqishëm e përcaktuar drejt përkrahjes së sipërmarrësisë në Maqedoni dhe jemi shumë falenderues që kemi partnerë si Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore e cila vjen nga komuniteti i biznesit, njeh nevojat reale të bizneseve dhe do të sigurojë shërbime dhe produkte konform nevojave të biznesit” – tha Tomaxhan.

 

Related posts