OEMVP me propozim masa për tejkalim të krizës energjetike

25.08.2022, Shkup – Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore si institucion i cili për mision ka mbrojtjen e interesave të bizneseve, gjatë kësaj periudhe krizash të njëpasnjëshme ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me anëtarësinë e saj me qëllim gjetjen e zgjidhjeve më efikase për tejkalim të vështirësive me të cilat ata përballen.

Në takimin e sotëm të Komisionit për dialog publiko-privat, në fokus të diskutimit ishte situata e krijuar me rritjen drastike të çmimit të energjisë elektrike, e cila ndikon ndjeshëm në rritjen e kostove operative të kompanive dhe e vështirëson punën e tyre. OEMVP në bashkëpunim me anëtarët e saj bëri një analizë thelbësore të këtij problemi dhe doli me një sërë masash dhe propozimesh për zbutjen e krizës, të cilat u prezantuan dhe u dërguan tek institucionet relevante shtetërore. Sipas hulumtimit të OEMVP, për pjesën më të madhe të kompanive, gjegjësisht 65% e anëtarësisë të cilat tashmë kanë një infrastrukturë me efikasitet energjetik, shpenzimet e energjisë elektrike janë rritur nga 2 deri në 6 herë.

Apel i OEMVP ishte që Qeveria duhet të marrë urgjentisht masa për tejkalim të krizës energjetike, sepse ky problem vë në pikëpyetje vetë ekzistencën dhe mbijetesën e bizneseve në treg.