Mega intervistë e Kryetarit Hoxha për gazetën ”KOHA”

 Download – Gazeta Koha

“Bërja e politikave të favorshme për biznesin kërkon një dialog politik institucional dhe një konsensus shoqëror. Me muaj të tërë partia më e madhe opozitare maqedonase ka qenë jashtë Parlamentit dhe rrjedhimisht shumë ligje që definojë aspektet ekonomike të vendit janë sjellë pa një dialog parlamentar. Pra, kemi sjellje dhe ndryshim të ligjeve pa konsultim me palët e interesuara, dhe përjashtimi i komunitetit të biznesit nga këto konsultime ka qenë evident”, thotë Nebi Hoxha, kryetari i OEMVP-së.

KOHA: Këtë vit, OEMVP-ja festoi 10 vjetorit e themelimit. A mund të na thoni cilët janë zhvillimet e OEMVP-së përgjatë këtyre dhjetë viteve?

HOXHA: Fillet e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore(OEMVP) kanë qenë të vështira, parimisht, për nga forma e organizimit, apo vendosja e bizneseve në një entitet unik, e deri tek krijimi pasues i strategjive të zhvillimit dhe trasimi i rrugës të cilën do të ndjekin këto biznese. Oda startoi në qytetin e Tetovës në vitin 2005 dhe numëronte gjithsej 122 anëtarë, për t’u transferuar dy vite më pas në Shkup, me një numër të dyfishuar të bizneseve që gravitojnë në OEMVP, si dhe duke zgjeruar kapacitetet administrative. Sot Oda numëron rreth 1800 anëtarë të ndryshëm sipas sektorit ku veprojnë dhe të shtrirë gati në gjithë rajonet e vendit. Me rreth 70 seminare, 82 tryeza të rrumbullakëta, mbi 800 takime bilaterale dhe punëtori të vlefshme, gjithëpërfshirëse dhe edukative gjatë këtyre dhjetë viteve, ne kemi arritur të inkuadrojmë rreth 3000 biznese aktive, të cilat kanë marrë informacionin bazë drejtpërsëdrejti nga ekspertë të fushave përkatëse. OEMVP ka organizuar mbi 120 takime të ndërmjetësimit afarist për anëtarët e vet me partnerë të huaj, prej të cilave janë themeluar mbi 50 bashkëpunime partneriteti me anëtarësinë tonë. Kompanitë anëtare të OEMVP-së mbështesin dhe aplikojnë praktika të përgjegjshmërisë sociale korporative, e gjithë kjo në saje të trajnimeve praktike që iu ofrojmë ne. Që të jemi më afër bizneseve, që nga viti 2012 ne po organizojmë “Karvanin e Odës” gjatë të cilit realizohet kontakti i drejtpërdrejtë me bizneset, duke dashur të shohim nga afër problemet që hasin kompanitë gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore është një ndër iniciatorët për organizimin e Manifestimit “Sipërmarrësi i vitit”, i cili që nga viti 2006 po shpërblen sipërmarrësit më të suksesshëm, ndërsa që nga viti 2010, tradicionalisht po e zbaton manifestimin “TOP 100”, në të cilin shpallen kompanitë më të suksesshme të vitit. Përveç këtij publikimi të rregullt në pesë vitet e fundit, OEMVP ka publikuar edhe analiza ekonomike për rajonin jug-perëndimor dhe mundësitë e punësimit, analiza mbi fuqizimin ekonomik të grave, analiza të markave tregtare dhe treguesve gjeografik në zonat ndërkufitare, e të tjera. OEMVP për 10 vjet bën organizimin, avancimin, mbrojtjen e interesave dhe promovimin e bizneseve në vend dhe jashtë, përkundër sfidave të konkurrencës globale

KOHA: Sa është e lehtë sot në Maqedoni një shqiptarë pronar firme të bëjë biznes. Me cilat probleme më së shumti ballafaqohen firmat shqiptare gjatë bërjes së biznesit? 

HOXHA: Duke mos dashur të precizoj biznesi shqiptar apo maqedonas, sepse sipas nesh një ndarje e tillë nuk duhet të ekzistojë, do të thosha që në Maqedoni është relativisht e vështirë të bësh biznes, por vështirësia sigurisht qëndron tek udhëheqja e mirëfilltë e një biznesi dhe në drejtimin e duhur. Ne si OEMVP, mundohemi të jemi gjithmonë konstruktiv në deklaratat dhe qëndrimet tona dhe ajo që themi është se biznesi është në fazë evoluimi, të bërit biznes është një proces që do duhej të kishte përfunduar deri më tani, por për fat të keq ende jemi në zhvillim e sipër. Nga ana tjetër, rrethanat e të bërit biznes megjithëse thuhet se janë të volitshme apo vlerësohemi nga jashtë se janë të tilla, nuk është pikërisht ashtu. Procedurat e komplikuara, pengesat administrative, ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit, mos aplikimi i politikave edukative në vend të atyre ndëshkuese, gjobat e larta, vlerat e larta të taksave vjetore të kompanive, likuididiteti i dobët dhe vështirësia në gjetjen e mjeteve kapitale, janë gjithë ato që bëjnë të vështirë biznes bërjen në Maqedoni.

KOHA: Kriza politike e filluar në muajin shkurt të këtij viti e cila ende po vazhdon, sa i ka prekur afaristët në përgjithësi në Maqedoni e në veçanti anëtarët OEMVP-së?

HOXHA: Në vendet që me vështirësi kalojnë fazën e tranzicionit nga një sistem në tjetrin, sikurse është rasti i Maqedonisë, ndikimi i politikës reflektohet edhe në ekonominë, mbase politik-bërja, gjyqësori dhe zhvillimi ekonomik kanë ndërvarshmëri. Bërja e politikave të favorshme për biznesin kërkon një dialog politik institucional dhe një konsensus shoqëror. Me muaj të tërë partia më e madhe opozitare maqedonase ka qenë jashtë parlamentit dhe rrjedhimisht shumë ligje që definojë aspektet ekonomike të vendit janë sjellë pa një dialog parlamentar. Pra, kemi sjellje dhe ndryshim të ligjeve pa konsultim me palët e interesuara, dhe përjashtimi i komunitetit të biznesit nga këto konsultime ka qenë evident. Pushteti gjyqësorë si mbrojtës i të drejtave të biznesit në shumë raste është treguar i pa-aftë për të realizuar rolin e vetë. Afaristët, pa përjashtim gjithmonë dalin humbës në kontestet gjyqësore me organet e shtetit. Kjo krijon pasiguri juridike, e cila ndikon jo vetëm në investimet e brendshme por edhe në atë të jashtme. Kriza politike ndikon edhe në ekonominë e vendit, përveç ndikimit në investimet e huaja direkte, ajo ndikon edhe në sektorin e turizmit, po ashtu edhe në kthimin e mërgimtarëve tanë gjatë pushimeve apo gjatë festave. Këto të fundit paraqesin një stimul shumë serioz në konsumin e përgjithshëm në vend por edhe në stabilitetin e rezervave devizore, e cila padyshim ka impakt edhe në stabilitetin makroekonomik të vendit. Afera e përgjimeve gjithsesi ka ndikuar në besimin e komunitetit të biznesit në institucionet shtetërore. Forma se si dakordohen tenderët publik dhe ndikimi i pushtetit ekzekutiv në inspektoratet e ndryshme për të vepruar kundër oponentëve politik është shqetësues për bizneset. Këto defektet shënohen edhe në raportin e progresin për vitin 2015 të përgatitur nga Komisioni Evropian. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka alarmuar mbi rëndësinë e zgjidhjes së ngërçit politik dhe shpresojmë se liderët aktual politik do të tejkalojnë veten që të marrin vendime ndoshta të dhimbshme për karrierën e tyre politike por të nevojshme për ardhmërinë e vendit.

KOHA: Përveç krizës politike Qeveria vitet e fundit ka zbatuar një politike fiskale rigoroze ndaj komunitetit të biznesit. Sa gjobat e larta të shqiptuara kanë dëmtuar kompanitë private?

HOXHA: Politika fiskale rigorioze nuk sjell rezultate të mira pasi që është shumë destruktive dhe nxit korrupsionin, me çka na paraqitet situata ku dy palët, shteti dhe biznesi humbin. Shteti humb pasi që nuk do mundë të arkëtojë sasinë e planifikuar të mjeteve dhe do të nxit revolt te komuniteti i biznesit i cili më pas do të përpiqet në të gjitha mënyrat për mos të pagur gjobat. Politika e gjobitjes është politikë për të mbjellë frikë e jo për të edukuar bizneset që të jenë të rregullt në pagesën e tatimeve ose për të ulur normën e ekonomisë së ashtuquajtur Ekonomi e Hirtë (Grey Economy). Kjo sjellje Qeverisë bënë të mendojmë se ata nuk janë në shërbim të biznesit por për të gjobitur dhe ndëshkuar.

KOHA: Bizneset në Maqedoni me vite ankohen se shteti nuk u kthen në kohë rimbursimin e TVSH-së. Ju si përfaqësues të bizneseve çfarë keni ndërmarr në kë drejtim? 

HOXHA: Është më se e vërtetë se Qeveria ka shkelur disa herë mbi premtimet e saja ndaj komunitetit të biznesit, me atë qe kanë deklaruar se do të rimbursojnë TVSH-në, mjete të cilat janë të kompanive, por kemi vonesa të shumta. Ne si përfaqësues të biznesit disa herë kemi dërguar shkresa zyrtare për këtë problematikë gjatë viteve, por edhe kemi pasur konferenca për shtyp me mediat por edhe takim me kryeministrin Gruevski, i cili premtoi se do të angazhohet personalisht që të zgjidhë këtë problematikë. Por ne përsëri nuk kemi kthim të TVSH-së në kohë.

KOHA: Ju si Odë pas një takimi të përbashkët me odat tjera ekonomike paralajmëruat iniciativa të përbashkëta, të cilat do t’i dorëzoni Qeverisë në drejtim të stabilizimit dhe normalizimit të krizës politike dhe ekonomike në vend. Keni dorëzuar iniciativën dhe cila është përgjigja e Qeverisë?

HOXHA: Edhe pse OEMVP ngriti një iniciativë të tillë dhe që natyrisht se do të jepte rezultate po të ishte vazhduar e njëjta bashkë me odat tjera ekonomike që funksionojnë në vend, dorëzuam kërkesat fillestare dhe odat tjera vendosën të vijojnë të ndara në përpilimin e sugjerimeve dhe masave të adresuara Qeverisë. Kjo e fundit, mbase sepse qëndrimet tona ndonjëherë dhe dallojnë, duke marrë parasysh interesin e kompanive që përfaqësojmë si asosacione të biznesit. Siç e kemi cekur edhe në deklarata të tjera, Qeveria ka qenë neglizhente ndaj qëndrimeve të tilla, edhe pse ka pas shumë kërkesa për t’u ulur dhe biseduar rreth këtyre çështjeve. OEMVP ka mbajtur qëndrimin se gjithçka duhet të jetë transparente dhe e hapur për opinionin, andaj në këtë pikë është krijuar indiferentizëm për të parë se çka më tutje.

KOHA: Diaspora shqiptare luan rol të rëndësishëm sa i përket zhvillimit ekonomik. Në këtë drejtim sa Qeveria dhe ju si Odë keni bërë në drejtim të asaj që mërgata shqiptare përveç dërgesave të parave familjeve të tyre, ta stimuloni që të investojnë kapitalin tyre në vendlindje? 

HOXHA: Ne si Odë ekonomike kemi iniciuar projektin Diaspora Invest, mirëpo kjo iniciativë ishte vetëm me komunitetin e biznesit në bashkëpunim me komunat e Pollogut dhe pa përkrahjen e pushtetit qendror. Ne si përfaqësues të biznesit vazhdojmë të punojmë rreth kësaj politike, që ne t’u sigurojmë kushte sikur ato për investitorët e huaj, që nëpërmjet inkubatorëve të biznesit dhe përkrahjes legjislative, të bëjmë të mundur që mërgimtarët tanë të investojnë në mëmëdheun e tyre e jo vetëm të harxhojnë për patundshmëri, gazmende familjare, shpenzime pa të cilat ne nuk mund të mbulojmë zbrazëtirat devizore. Nëse ne i trajtojmë ndryshe mërgimtarët tanë, do të kishim investime të cilat do të kontribuonin për ekonominë reale.

KOHA: Qeveria në vazhdimësi favorizon kompanitë e huaja duke u ofruar lehtësime të shuma fiskale që të investojnë kapitalin e tyre në Maqedoni, ndërsa një privilegj të tillë nuk e kanë dhe kompanitë vendore. Mendoni se kjo strategji e Qeverisë është e drejtë apo e gabuar? 

HOXHA: Sigurisht që është një politikë afatshkurtër dhe e gabuar, konstatim me të cilin pajtohen pjesa dërmuese e komunitetit të biznesit dhe klasa akademike. Kjo politikë diskriminuese kundrejt biznesit vendor është edhe një tregues se Qeveria nuk është shtytës dhe përkrahës i fuqishëm i biznesit vendor, e sidomos kompanive të vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë mbi 95% të kompanive aktive në vend, edhe pse shteti “promovon” kompanitë e vogla dhe të mesme, por realisht nuk i përkrah.

KOHA: Një numër i madh i kompanive shqiptare në Maqedoni veprojnë në zonën industriale “Vizbeg”. Bizneset në këtë zonë ankohen se me vite Qeveria diskriminon zonën për dallim nga zonat tjera ekonomike, ku me para të buxhetit po ndërton infrastrukturën. E keni biseduar këtë çështje me përfaqësues të Qeverisë dhe cili është qëndrimi i tyre rreth realizimit të projekteve infrastrukturore edhe ne zonën industriale “Vizbeg”? 

HOXHA: Kjo është një problematikë për të cilën OEMVP ka kohë që alarmon Qeverinë dhe me hapa konkret kemi takuar institucionet përkatëse që të merren masa që të rregullohet kjo zonë ekonomike me infrastrukturën bazë, por ende nuk kemi asnjë veprim konkret. Në takimin që kishim me perfektin e qytetit dhe ministrin e Transportit dhe lidhjeve, ata krahas shumë premtimeve realizuan vetëm lëshimin e linjës së transportit publik për atë pjesë, kurse gjërat tjera ngelen vetëm në bisedë dhe premtime. Nga daljet tona në terren te anëtarësia jonë që vepron në këtë zonë, kemi parë që bizneset vetë kanë rregulluar infrastrukturën para objekteve të tyre afariste, në mungesë të investimit nga shteti.

KOHA: Për fund shumë kompani shqiptare anëtare të OEMVP-së parapëlqejnë të reklamohen në mediat maqedone por jo edhe ne mediat shqipe. Pse? 

HOXHA: Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore që nga themelimi i saj stimulon bashkëpunimin në mes anëtarëve të vetë, pa marrë parasysh veprimtarinë e tyre. Në suaza të mundësive tona, edhe ne promovojmë bizneset shqiptare, gjegjësisht anëtarësinë tonë. Mirëpo, në aspekt të marketingut, anëtarët vetë i bëjnë planet dhe strategjitë e reklamimit. Biznesi nuk njeh etni, mirëpo treg. Është e drejtë legjitime e tyre të vendosin se ku do të reklamohen, mbase kalkulimet e tyre nuk janë emocionale apo folklorike, por janë në bazë të parametrave ekonomik dhe biznesor. Ne si OEMVP, bëjmë nxitje dhe lobojmë për bashkëpunim më të madh mes anëtarëve dhe në këtë drejtim duke përfshirë këtu dhe mediat.

KOSOVËN E HUMBËM NË MUNGESË TË INFRASTRUKTURËS

KOHA: Vite me radhë Maqedonia ka qenë partneri numër një sa i përket këmbimit tregtar me Kosovën. Mirëpo, dy vitet e fundit Maqedonia ka ulje drastike të këmbimit tregtar me Kosovën. Sipas jush, cilat janë arsyet e humbjes se tregut kosovar?

HOXHA: Në kohën e globalizimit asnjë aktorë ekonomik apo politik nuk mund të mbijetojë vetëm, e në veçanti vendet me treg të kufizuar dhe të vogël sikurse Maqedonia, Kosova, Mali i Zi apo Shqipëria. Andaj, të gjitha shtetet kanë nisur rrugëtimin për integrim në BE, që të jenë pjesë e një tregu prej 800 milionë banorë. Mirëpo, përcaktimet politike vendore mund të ndikojnë edhe në raportet ndër shtetërore. Fatkeqësisht Maqedonia është vend i cili ka probleme bilaterale politike me çdo vend fqinj, pos me shtetet shqiptare: Shqipërinë dhe Kosovën. Politika e vendit përcakton prioritetet edhe në ekonomi. Vlerësoj se një nga arsyet e humbjes së tregut kosovarë nga kompanitë e Maqedonisë është mos-investimi në infrastrukturën rrugore, gjegjësisht autostradën Shkup-Hani i Elezit. Po ashtu si pengesë për bizneset është edhe mungesa e pikave-kufitare ku mund të bëhen shërbimet doganore. Pika kufitare në Glloboçicë nuk e ofron këtë mundësi, mirëpo kjo mund të bëhet vetëm në pikë-kalimin e Hanit të Elezit. Nga ana tjetër, në këtë vend-kalim kufitar mungojnë investime në shërbimin doganor me ç’rast krijohet një “qafë-shisheje” (bottle neck) e cila ngadalëson procesin e transportit dhe eksportit. Arsyeja tjetër, me gjasë është thjeshtëzimi i procedurave doganore në mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në Maqedoni ndodh një fakt shumë interesant. Kompanitë prodhuese të vendit kanë pozitë të disfavorshme karshi kompanive të huaja. Të fundit kanë një gamë beneficionesh tatimore dhe në fund profitin e tyre e nxjerrin jashtë vendit. Ndërsa kompanitë vendore, gjithçka realizojnë në kuadër të ekonomisë së vendit dhe nuk mund të konkurrojnë në tregjet rajonale. Kompanitë kosovare, mbase, nga dëshpërimi i pengesave administrative-doganore kanë vendosur të orientohen nga tregjet tjera të cilat janë konkurrent dhe ku qasja në ato është më e lehtë.

Ketu

Comments are closed.