Home / Lajmet / Lajmet e fundit / Karvani i OEMVP-së në Strugë

Karvani i OEMVP-së në Strugë

  Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore edhe këtë vit vazhdoi me aktivitetin e saj në kuadër të Karvanit të OEMVP-së, dhe këtë herë filluan me takim në qytetin e Strugës.

  Takimi u mbajt më 24 Shkurt 2014 në restorantin “Ambienti” në Strugë, ku ishin prezent rreth dyzet kompani nga rajoni i Strugës, anëtare të OEMVP-së, por edhe ato të cilat shprehën gatishmëri për anëtarësim.

  Ndër pikat e diskutimit gjatë takimit ishte anëtarësimi i kompanive të reja në OEMVP, stimulimi i diasporës për investime në komunën e Strugës dhe  problemi i urbanizmit në komunën e Strugës.

  Kryetari i OEMVP, Menderes Kuçi, theksoi se Oda gjatë ditës në ditë po shndërrohet në një faktor kyç dhe rritja e anëtarësisë do të kontribuojë rreth zgjidhjes së problemeve të shumta me të cilat ballafaqohen kompanitë në punën e tyre.

  Drejtori ekzekutiv i OEMVP, Arben Halili, i theksoi shërbimet të cilat i ofron Oda për anëtaret e saja, mundësitë për anëtarët për të kontaktuar me kompani të ndryshme gjatë takimeve B2B dhe prezantimin e tyre në panaire të ndryshme, si në vend ashtu edhe jashtë.

  Nga diskutimi, si propozim i kompanive doli edhe hapja e zyrës lokale në Strugë, ku në një vend, kompanitë do të mund t’i shprehin nevojat dhe problemet e tyre. Kështu përmes një koordinatori në komunë, ato do të përcillen deri te Oda dhe do të afroheshin shërbimet e Odës më afër kompanive.

  Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për çështjen e urbanizmit dhe probleme tjera me të cilat përballen kompanitë gjatë punës së tyre në komunën e Strugës. U propozua që gjatë takimit të radhës të ftohet kryetari i komunës, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore.