Gerasimovski dhe Iseni: Mbrojtja e të drejtave është fundamenti për zhvillimin e biznesit

Vazhdon bashkëpunimi mes Entit Shtetëror për Pronësi Industriale dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore. Drejtori i ESPI Goran Gerasimovski dhe Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së Drilon Iseni sot zhvilluan një takim, në të cilin u specifikuan aktivitetet e ardhshme.

Për të rritur ndërgjegjësimin publik për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale, ekspertë nga Enti Shtetëror do të vizitojnë kompanitë anëtare të Odës. Ndër tjera, do të shpjegohen benefitet dhe procedurat për mbrojtjen e markës tregtare, si dhe të drejtat e tjera të pronësisë industriale. Është e rëndësishme të theksohet se mbrojtja e të drejtave është fundamenti për zhvillimin e suksesshëm të çdo biznesi. Përveç kësaj, biznesmenët do të informohen rreth mundësive për qasje dhe përdorim të bazave të të dhënave elektronike ndërkombëtare.

Si pjesë e bashkëpunimit aktual të këtyre dy organeve, u mbajtën punëtori për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale në disa qytete në rajonin veri-perëndimor dhe u vizituan 57 kompani.

OEMVP vazhdon të mbrojë interesat e biznesit në vend, dhe vazhdon të mbetet lider në përfaqësimin e tyre.