Home / Lajmet / Lajmet e fundit / Forum Biznesi me kompanitë nga Turqia

Forum Biznesi me kompanitë nga Turqia

   Sot më datë 05 Nëntor 2012 në hotel Grand Pllaza në Shkup, me rastin e vizitës së biznes delegacionit nga Turqia, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore në bashkëpunim me TradeTurk, përfaqësues i 150 kompanive turke, organizuan Biznes Forum në mes kompanive të të dy vendeve.

  Në këtë Forum, ishin prezent kompani turke nga profile të ndryshme, si dhe kompani të tjera anëtare të OEMVP-së.  Qëllimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i mundësive të bashkëpunimit dhe investimit të përbashkët, dhe njëherit edhe si paralajmërues i një vizite të re të biznes delegacionit turk edhe më të madh në numër, të planifikuar në prill vitin e ardhshëm.

  Gjithashtu, ishin prezent edhe përfaqësues nga institucionet e ndryshme shtetërore, kryetarë të komunave, rektorë të univerziteteve, përfaqësues të Odave, deputetë, gazetarë e tjerë.

  Nënkryetari i OEMVP-së, z. Nazmi Ejupi, tha se “Ne si Odë, mund t’ju ofrojmë biznismenëve turk, përkrahje teknike, duke u siguruar informata konkrete për veprimtarinë për të cilën janë të interesuar, dhe t’i lidhim me kompanitë tona anëtare”.

  Bashkëorganizatori nga Trade Turk, z. Ahmet Shener – theksoi se qëllimi i vizitës së delegacionit nga Turqia është që përmes bashkëbisedimeve me kompanitë vendase, të shohin potencialet e mundshme të bashkëpunimit, duke theksuar se në delegacionin e ardhshëm të planifikuar për Prill 2013, do të vijnë edhe biznismenë të interesuar për ndërtimin e shkollave, të cilat do t’ja falin Ministrisë së Arsimit të RM, si dhe biznesmenë që veç më kanë investuar në Maqedoni.

  Drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së, z. Fatmir Bytyqi prezantoi para biznismenëve turk Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore, si dhe mundësitë e investimit në Zonat e Lira Ekonomike, me theks të veçantë në pjesën veriperëndimore dhe kushtet e volitshme ekonomike që ofron Maqedonia për investimet nga jashtë. Gjithashtu, Drejtori Ekzekutiv në emër të OEMVP-së, i ndau përfaqësuasit të kompanive turke një dhuratë në shenjë bashkëpunimi të suksesshëm.

  Pas përfundimit të pjesës prezantuese, kompanitë kishin rastin të takohen dhe diskutojnë mundësitë e bashkëpunimit në mes veti, si në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, hoteleri, kompani konsultante, kompani eksportuese dhe importuese, prodhues mobiljesh, e tjerë.