25 Prill 2016 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot ka zhvilluar një takim me studentët e Fakultetit të Administrimit të Biznesit nga Universiteti i UEJL, të cilët bashkë me profesorin Veland Ramadanin vizituan Odën. Për të qenë sa më afër realitetit praktik në fushat ekonomike, në këtë takim studentët janë njohur me punën, funksionin, kompetencat si dhe rolin e kësaj organizate në zhvillimin ekonomik dhe të bizneseve në Republikën e Maqedonisë.
OEMVP shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me studentët, duke krijuar mundësi që ata të jenë në rrjedha me trendët e zhvillimit ekonomik. Ajo që u diskutua ishte mundësia e bashkëpunimit, në formë që të zvogëlojnë diskrepancën në mes kërkesës për fuqi punëtore dhe profileve ekzistuese profesionale në tregun e punës, si dhe mundësia për realizimin e punës praktike apo punësimit në të ardhmen në Odë apo në kompanitë anëtare që ajo i përfaqëson.
Pas përfundimit të prezantimit të aktiviteteve, shërbimeve dhe në përgjithësi informatave për fushëveprimin e OEMVP-së, studentët shtruan pyetje të ndryshme që kanë të bëjnë me aspektin ekonomik në vend. Studentët e vlerësuan këtë aktivitetet si një përvojë shumë të rëndësishme për ecurinë e studimeve të tyre me dëshirë që takime të tilla të realizohen edhe në të ardhmen.



