Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Durim Zekiri, mori pjesë si panelist në ngjarjen e organizuar nga Macedonian Association for Customer and Employee Experience (MACEX), ku u diskutua mbi temën: “Ndërtimi i ekonomive të orientuara drejt përvojës: Roli i odave ekonomike dhe shoqatave të biznesit në mbështetjen e transformimit organizativ”. Pjesë e panelit ishte edhe znj. Nina Angelovska Stankov, z. Vojdan Jordanov, z. Goran Kriz, ndërkaq u moderua nga Hristina Velkovska.
Gjatë diskutimit, z. Zekiri theksoi se: “Një eksperiencë e mirë e punonjësve nënkupton produktivitet më të lartë në nivel kombëtar. Kur punonjësit janë të motivuar dhe të kënaqur, kompanitë janë më efikase, më konkurruese dhe prodhojnë më shumë, duke kontribuar drejtpërdrejt pozitivisht në BPV-në e vendit. Përvoja e punonjësve krijon një ekonomi më rezistente dhe më inovative, ndërsa kompanitë që investojnë te punonjësit e tyre kanë fluktuacion më të ulët, përshtatje më të mirë ndaj krizave dhe stabilitet afatgjatë ekonomik.”
Në pyetjen: “Meqë rajoni veri-perëndimor ka potencial të madh sipërmarrës, çka është e nevojshme që ai potencial të transformohet në zhvillim inovativ, ekonomik dhe të qëndrueshëm?”, z. Zekiri u përgjigj se rajoni i Pollogut ka popullsinë më të re në vend. “Kjo nënkupton se rajoni ka potencialin më të madh afatgjatë, megjithatë ai renditet i treti ndër të gjitha rajonet për nga numri i kompanive të regjistruara për kokë banori. Për të kapitalizuar këtë potencial, nevojitet një qasje strategjike. Rajoni i Shkupit dominon pothuajse në çdo aspekt ekonomik, ku 54% e eksportit total të vendit vjen pikërisht nga ky rajon. Ndërkohë, investimet shtetërore kanë qenë më të ulëta në rajonin e Pollogut dhe në rajonin Jugperëndimor gjatë 30 viteve të fundit.”
Më tej, z. Zekiri potencoi se: “Nëse Shkupi është motori ekonomik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, atëherë blloku perëndimor paraqet potencialin ekonomik më të papërdorur. Me infrastrukturë më të zhvilluar, investime më të mëdha, diversifikim industrial dhe decentralizim më të theksuar, rajoni perëndimor mund të shndërrohet në qendrën e dytë ekonomike të vendit.”
Paneli shërbeu si platformë për shkëmbim idesh dhe përvojash mbi mënyrat se si organizatat dhe komuniteti i biznesit mund të kontribuojnë në krijimin e kompanive më fleksibile, moderne dhe të gatshme për sfidat e tregut.



