U.d. Kryetari i OEMVP-së, z. Nuhi Aliu, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv, z. Durim Zeqiri dhe menaxheren operative Miranda Ajdini mirëpritën studentët e fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë të Universitetit të Evropës Juglindore, nën udhëheqjen e Parlamentit Studentor dhe Asociacionit, me ç’rast u njohën më nga afër me punën dhe aktivitetet e saj.
Gjatë takimit, u diskutua për sfidat me të cilat përballen kompanitë në vend, me theks të veçantë në mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, si dhe rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve në proceset zhvillimore ekonomike.
z.Nuhi Aliu theksoi se OEMVP mbetet e hapur që studentët dhe gjeneratat e reja, në të ardhmen, të kenë mundësi të punësohen dhe të zhvillohen profesionalisht në kompanitë anëtare, si dhe të kryejnë punë praktike.
Drejtori Ekzekutiv potencoi mundësitë e shumta që ofrohen përmes granteve dhe thirrjeve të ndryshme, qofshin ato qeveritare apo nga donatorë ndërkombëtarë si Bashkimi Evropian, si një mbështetje e rëndësishme për zhvillimin e bizneseve të reja (start-up-eve). Ai shtoi se, përmes Odës Ekonomike, start-up-et dhe bizneset e reja kanë qasje të drejtpërdrejtë tek kompanitë ekzistuese, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe zhvillimi që në fazat fillestare të tyre.
Studentët parashtruan pyetje dhe diskutuan mbi perspektivat e tyre profesionale, ndërsa takimi shërbeu si një mundësi për shkëmbim idesh dhe forcim të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe biznesit.
OEMVP vazhdon të jetë e përkushtuar në mbështetjen e të rinjve dhe në krijimin e urave lidhëse mes institucioneve arsimore dhe komunitetit të biznesit, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe përgatitjen e kuadrove të reja profesionale.






