Kompanitë anëtare të qytetit të Strugës zhvillojnë takim pune me Drejtorinë e të Ardhurave Publike – Diskutojnë mbi përmirësimin e shërbimeve tatimore

12.08.2024, Strugë – Në hapësirat e kompanisë anëtare Trim & Lum në Strugë, u zhvillua takimi mes kompanive anëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) dhe zyrtarëve të lartë të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP). Në këtë takim mori pjesë edhe drejtori ekzekutiv i OEMVP, z. Durim Zekiri, i cili përshëndeti këtë nismë të Drejtorisë, duke vlerësuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe sektorit privat për të garantuar stabilitet ekonomik dhe rritje të qëndrueshme.

Gjatë takimit, u diskutua gjerësisht mbi dispozitat e Ligjit për regjistrimin e pagesave me para në dorë, Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, dhe Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat Personale. U diskutuan edhe shërbimet  ofruara nga DAP, me synimin për të përmirësuar këto shërbime dhe për t’iu përshtatur nevojave të komunitetit të biznesit. Kjo do të mundësojë qasje më të lehtë dhe më efektive në këshillim dhe informim përmes personave përgjegjës nga Drejtoria, të cilët janë në shërbim të bizneseve.

Kompanitë anëtare të OEMVP diskutuan rreth ndryshimeve të fundit në legjislacionin tatimor dhe ndikimin e tyre në sektorin e biznesit, kontrolleve dhe inspektimeve, stimulime tatimore e kështu me radhë, kështu duke vlerësuar se trajtimi i këtyre temave mund të ndihmojë në ndërtimin e një marrëdhënieje të fortë dhe të ndërsjellë për mirëqenien ekonomike.

Z. Zekiri, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e një fokusimi strategjik nga ana e Drejtorisë për të luftuar ekonominë joformale dhe për të ulur nivelin e saj. Poashtu, duke qenë se Maqedonia e Veriut ka kontributet më të larta në rajon, z. Zekiri përmendi edhe nismën e kahmotshme të OEMVP-së për të rritur pagën minimale në 30,000 denarë dhe për të ulur kontributet në 32%, me çka do të mbajmë fuqinë punëtore në vend, duke pasur parasysh statistikat të cilat tregojnë largim masiv të të rinjve.

OEMVP mbetet e përkushtuar për të promovuar një dialog të frytshëm dhe një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve shtetërore, duke adresuar sfidat ekzistuese dhe duke krijuar një mjedis të favorshëm për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë.