Sesion informativ me kompanitë e Strugës

15 Maj 2017 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot organizoi sesion informativ  në Strugë me kompanitë e saja anëtare ku u diskutua mbi të drejtat dhe obligimet të cilat rrjedhin nga politikat tatimore dhe doganore.

Në takimin informativ në Strugë me temë: të drejtat dhe obligimet të cilat rrjedhin nga politikat tatimore dhe doganore, u diskutua për rregullat dhe problematikat që kanë të bëjnë me tatimin e të ardhurave personale, tatimi në fitim, tatimi në burim, TVSH dhe tatimet e tjera.

Gjithashtu u prezantuan edhe bazat tatimore për llogaritjen e tatimit të të ardhurave personale, tatimi në fitim, tatimi në burim, TVSH dhe tatimet tjera, si dhe rastet kur bëhet pagesa me fokus të veçantë në gabimet e mundshme nga përvoja praktike dhe dispozitat për sanksionim që dalin nga detyrimet e lartpërmendura për pagesën e tatimeve.

Pjesëmarrësit kishin mundësi të njihen edhe me procedurat doganore për import dhe eksport të produkteve të tekstilit dhe bujqësore, të drejtat dhe detyrimet e pjesëmarrësve në procedurat doganore, dokumentacionin e nevojshëm në procedurat doganore, dispozitat penale nga Ligji për drejtorinë doganore dhe ligjin doganor dhe procedurat juridike në kryerjen e mbikëqyrjes doganore dhe kontrollit doganor brenda territorit doganor të shtetit.

Partnerët implementues të USAID-it për këtë projekt janë EPI CENTAR Internacional, në bashkepunim me Odën ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Odën Ekonomike të Maqedonisë dhe Odën për Teknologji Informatike dhe telekomunikimit – MASIT.

Projekti financohet nga Qeveria  e SH.B.A -ve me qëllimin për të mbështetur rritjen ekonomike duke lehtësuar presionin mbi NVM-të të shkaktuara nga ndryshimet e shpeshta të rregullave ligjore.