Mbledhja e IV e Këshillit Drejtues: Diskutohet për suksesin e jashtëzakonshëm të vitit 2024
27.11.2024, Shkup – Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore sot u realizua mbledhja e IV-të e Këshillit Drejtues, ku u diskutuan tema të rëndësishme për ecurinë e aktiviteteve gjatë periudhës së kaluar, si dhe planet strategjike të Odës sa i përket periudhës që vijon.
Temë kyçe e kësaj mbledhjeje ishte ngjarja prestigjioze TOP 100™, e cila këtë vit shënoi jubileun e 15-të të saj. Si ngjarja më e rëndësishme me karakter ekonomik në vend, TOP 100™ ka për qëllim vlerësimin e bizneseve më të suksesshme në vend, si dhe jo vetëm që nxit konkurrencën lojale në treg, por gjithashtu promovon sukseset e sektorit privat dhe rëndësinë e tij për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut. Anëtarët e Këshillit Drejtues theksuan rëndësinë e këtij projekti për të inkurajuar inovacionin dhe konkurrencën në treg.
Gjatë mbledhjes, u diskutua edhe arritja e OEMVP-së në kundërshtimin e Ligjit për Solidaritet, ku Gjykata Kushtetuese ka nisur procesin e shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij. Oda mbetet e palëkundur në qëndrimin për anulimin e ligjit, duke e konsideruar atë si të padrejtë dhe të dëmshëm për ekonominë.
Po ashtu, u diskutuan mundësitë që ofron kredia hungareze, e dedikuar për zhvillimin e sektorit privat dhe projekteve komunale. OEMVP do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet dhe të informojë kompanitë anëtare mbi kushtet dhe procedurat e aplikimit, me qëllim që këto fonde të përkthehen në përfitime konkrete për ekonominë dhe bizneset në Maqedoninë e Veriut.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore mbetet e angazhuar për të qenë një partner i fuqishëm i bizneseve, duke siguruar mbështetje të vazhdueshme, transparencë dhe një platformë të fuqishme për promovimin e interesave të sektorit privat.