“OEMVP Vazhdon Traditën e Sofrës Tradicionale të Iftarit në Muajin e Shenjtë të Ramazanit në 2024”

18.03.2024, Shkup – OEMVP mirëpriti mysafirë në Sofrën e Iftarit, një aktivitet tradicional të organizuar rregullisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Përkrah anëtarëve të OEMVP-së, në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të rëndësishme të vendit duke përfshirë Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, ministra, kryetarë komunash, përfaqësues të partive politike, Ambasadorë, përfaqësues të Odave ekonomike vendore dhe rajonale,  të institucioneve  dhe mysafirë nga rajoni.

Në fjalën e tij, kryetari i OEMVP-së, z. Mendi Qyra, përcolli mesazhin e për nxitje të tolerancës, mirënjohjes dhe bashkëpunimit gjatë këtij muaji të shenjtë të Ramazanit. “Iftari tradicional që organizojmë për komunitetin tonë i sheh të gjithë bashkuar në një vend dhe kohë, duke reflektuar vlerat e tolerancës, humanizmit dhe harmonisë”.

“Në këtë muaj të shenjtë, le të ndërtojmë marrëdhënie të forta, duke lënë pas ankesat dhe duke promovuar mirësinë dhe bashkëpunimin si vlera bazike të bashkëjetesës. Të gjithë ne kemi detyrën të mbrojmë dhe të përcjellim këto vlera tek bashkëpunëtorët tanë, duke ndikuar pozitivisht në krijimin e një harmonie në vendin tonë të cilin e shohim si ardhmërinë tonë dhe të pasardhësve tanë.

Kjo ngjarje e Iftarit Tradicional të OEMVP-së, është një ndër ngjarjet më të mëdha të rrjetëzimit të bizneseve në vend, ndërkaq është ngjarja e dytë tradicionale e OEMVP-së, pas asaj të ngjarjes Top 100™.