OEMVP shtroi mbrëmë Sofrën tradicionale të iftarit

OEMVP shtroi mbrëmë Sofrën tradicionale të iftarit

06 Qershor 2018 – E kthyer tashmë në traditë, “Sofra e Iftarit” organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore u shtrua mbrëmë në hotel New Star në Shkup.

Kjo sofër tradicionale e shtruar prej vitesh mbledh çdo vit komunitetin e biznesit, të ftuar nga institucionet shtetërore, partnerët relevant dhe figurat e rëndësishme të jetës publike në vend.

Duke folur për vlerat që përfaqëson muaji i shenjtë i Ramazanit dhe agjërimi gjatë këtij muaji, kryetari Nebi Hoxha theksoi se kjo është periudhë e reflektimit dhe e përkushtimit për vlerat e humanizmit, solidaritetit, paqes e tolerancës.

“Еdhe vetë muaji i Ramazanit është cikël ekonomik në vete, sepse në këtë muaj njerëzit rrisin shpenzimet e konsumit,  ndihmat ndaj skamnorëve gjë që tregon një qarkullim më të madh për ekonominë tonë dhe gjithandej. Sigurisht që për të arritur në nivelet e progresit që ne synojmë, duhet që të kemi në vete tolerancë, paqe dhe harmoni mes njërzve pa i dalluar ata për nga feja, kombi, partia politike që i përkasin e tjera. Këto janë mësimet që na mëson edhe Islami që në esencë do të thotë paqe.” – tha kryetari Hoxha duke shtuar se vetëm kështu të bashkuar si në këtë sofër të iftarit dhe me një mirëkuptim të ndërsjellë dhe besim ndaj njëri tjetrit do mundemi  të ndryshojmë gjendjen ekonomike në vend dhe të mbajmë të rrinjtë tanë në vend.

Fjalën përshëndetëse ka marrë edhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev i cili tha që përmes aktiviteteve të tilla, OEMVP kontribuon në afrimin dhe njohjen sa më të mirë mes personaliteteve të jetës publike dhe komunitetit të biznesit.

Me këtë rast të pranishëm gjithashtu ishin kryetari i Kuvendit të RM-së Talat Xhaferi, ministra, ambasadorë, kryetarë komunash, figura të shumta nga jeta publike dhe politike në vend, si dhe përfaqësues nga komuniteti i biznesit.

Related posts

SPOZORI GJENERAL