Delegacioni i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore realizoi sot një vizitë zyrtare te Kryetari i Komunës së Strugës, z. Mendi Qyra, njëherësh ish-Kryetar i OEMVP dhe një nga figurat kyçe në zhvillimin institucional të Odës.
Në delegacion morën pjesë U.D. Kryetari i OEMVP, z. Nuhi Aliu, Drejtori Ekzekutiv, z. Durim Zeqiri, Kryetari i Nderit, z. Xhemail Dauti, si dhe anëtarë të tjerë të Bordit dhe strukturave udhëheqëse të Odës.
Gjatë takimit u diskutua për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet biznesit dhe pushtetit lokal, krijimin e kushteve më të favorshme për investime në rajonin e Strugës, si dhe për iniciativat e përbashkëta që mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe turizmin vendor.
OEMVP vlerëson lart angazhimin dhe përvojën e z. Qyra, duke e konsideruar këtë takim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit institucional dhe mbështetjes së ndërmarrjeve të rajonit.






