OEMVP realizoi me sukses kuvendin e I-rë vjetor
OEMVP realizoi me sukses kuvendin e I-rë vjetor
Në këtë Kuvend u diskutua në lidhje me çështjet operative të cilat ishin në rendin e ditës si:
Miratimi i anëtarëve të propozuar për Këshill drejtues dhe Kuvend, Aprovimi i Procesverbalit të Kuvendit zgjedhor, Aprovimi i raportit narrativ dhe financiar të vitit 2022, Aprovimi i planit vjetor dhe financiar të vitit 2023, Raporti gjashtë mujor i vitit 2023, ndryshimet statutare, si dhe pika të tjera të ndryshme.
Kryetari i OEMVP-së z. Mendi Qyra, në fjalën e tij përshëndetëse, potencoi rëndësinë e kuvendit si organ më i lartë i Odës, nga ku duhet të buron çdo iniciativë e institucionit tonë. Gjithashtu ai në bazë të rendit të ditës, propozoi edhe emërimin e një nënkryetari shtesë, si nevojë për realizimin e punës së OEMVP-së në këtë mandat.
Gjithashtu fjalën e mori edhe drejtori ekzekutiv para kuvendarëve, ku prezantoi punën dhe aktivitetet e odës të realizuara gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2023, duke u fokusuar në shërbimet e reja që oda filloi të ofron për anëtarët e saj, si çertifikata e origjinës në formë elektronike, si një mjet shumë i rëndësishëm për të kursyer në kohë, Thirrjet për tenderë dhe Asistimi për pjesëmarrje në panaire të ndryshme.
Ndër të tjera aktivitete ishte edhe konferenca vjetore, e cila u organizua për herë të parë, konferenca e grave sipërmarrëse, shkresa të drejtuara në institucione të ndryshme si dhe deklarata dhe reagime të shumta në institucione. Ai gjithashtu prezantoi edhe raportin financiar si instrument më i mirë për paraqitje të transparencës ndaj përfaqësuesve të kuvendit.
U debatua edhe në lidhje me dokumentin e përpunuar nga OEMVP “Manifesti i ri Ekonomik për zhvillim”, nga ku dolën konkluzione të ndryshme mbi atë se çfarë do të promovon OEMVP sa i përket politikave makro-ekonomike në periudhën vijuese, afatmesme dhe afatgjate.
Që nga fillimi i këtij mandati të OEMVP-së, ky është kuvendi i parë i organizuar pas atij zgjedhor, dhe kuvendi i plotësoi të gjitha normat e parapara me statut për mbarëvajtjen e punës së saj.