Kryesia e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore realizoi takim me Ministrin e Drejtësisë, Igor Filkov, në të cilin u diskutuan ndryshimet e propozuara në Ligjin për Përmbarimin, me fokus të veçantë në Nenin 218.
Në takim morën pjesë u.d. Kryetari Nuhi Aliu, Drejtori Ekzekutiv Durim Zeqiri, Kryetari i Nderit Xhemail Dauti dhe Menaxherja Operative Miranda Ajdini.
Qëllimi kryesor i takimit ishte shqyrtimi i draft-ndryshimeve të publikuara në ENER, të cilat parashohin zgjerimin e mbrojtjes së fondeve dhe pasurive të institucioneve shtetërore, njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ndërmarrjeve publike nga procedurat e përmbarimit.
OEMVP tashmë prej shumë vitesh me radhë ka alarmuar për problematikën që Neni 218 shkakton në marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve publike, duke krijuar pasiguri juridike dhe vështirësi në realizimin e kërkesave të kompanive.
Në këtë drejtim, OEMVP paraqiti propozimet e saja konkrete, duke kërkuar fshirjen e Nenit 218 për të siguruar trajtim të barabartë për të gjithë personat juridikë dhe rritje të sigurisë juridike në marrëdhëniet biznesore. Njëkohësisht, u theksua rëndësia e forcimit të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, si elemente kyçe për një klimë të qëndrueshme dhe të besueshme biznesi.
Drejtori Ekzekutiv, z. Durim Zeqiri, theksoi se kompanitë private përveç sfidave të tjera ekonomike, përballen edhe me mungesë të sigurisë juridike në raport me institucionet publike, për shkak të kufizimeve në mekanizmat e përmbarimit dhe mbrojtjes ligjore që u ofrohet të njëjtëve.
Ministri i Drejtësisë, z. Igor Filkov, shprehu gatishmëri për bashkëpunim dhe mirëpriti propozimet e OEMVP, duke i vlerësuar ato si të arsyeshme dhe me vlerë për avancimin e zgjidhjeve ligjore. Ai theksoi se të njëjtat do të shqyrtohen në kuadër të grupit punues për hartimin e ligjit përkatës.
OEMVP e vlerëson si të domosdoshëm adresimin dhe zgjidhjen e këtyre çështjeve në mënyrë sistematike, duke theksuar se një qasje e balancuar që garanton mbrojtjen e interesit publik, por edhe përgjegjshmërinë institucionale dhe sigurinë juridike për bizneset, do të kontribuojë në krijimin e një mjedisi më të drejtë dhe funksional për të gjitha palët.





