Kryesia e lartë e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore zhvilloi takim zyrtar me Ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Kristof Zomer.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, me fokus të veçantë në nxitjen e shkëmbimit tregtar, realizimin e projekteve të përbashkëta dhe investimeve të reja.
Pikë kyçe e bisedimeve ishte roli i diasporës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër si urë lidhëse për bashkëpunim ekonomik, si dhe proceseve të digjitalizimit dhe shkëmbimit të know-how nga kompanitë zvicerane drejt bizneseve vendore.
Si pjesë e vizionit të saj institucional, OEMVP theksoi angazhimin e saj për të forcuar ndërlidhjen e kompanive vendore me partnerë ndërkombëtarë dhe për të mbështetur iniciativa që krijojnë mundësi reale për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim afatgjatë.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, në periudhën janar–nëntor 2025, shkëmbimi tregtar ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Konfederatës së Zvicrës ka arritur vlerën prej 153.6 milionë euro, prej të cilave 62.4 milionë euro janë realizuar në eksport dhe 91.2 milionë euro në import. Këto të dhëna dëshmojnë ekzistencën e potencialit të konsiderueshëm për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në drejtim të rritjes së eksporteve dhe investimeve të reja.






