OEMVP në vizitë zyrtare tek kryetari i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta
12 Mars 2018 – Delegacion biznesi i OEMVP-së në krye me kryetarin Nebi Hoxha, Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, sot zhvilluan një vizitë zyrtare në Shqipëri. Pas pritjes ceremoniale nga kryetari i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta në ambientet e Rezidencës së Republikës së Shqiperisë, Kryetari i Forumit Ekonomik të Prodhuesve Kombëtar Nagip Fejzi bëri prezantimin e Forumit dhe më pas u diskutua për legjislacionin dhe aplikimet e tij në sipermarrjet prodhuese.
Kryetari Meta përgëzoi dhe mbështeti iniciativën e krijimit të këtij Forumi si një domosdoshmëri e stadit aktual të zhvillimit ekonomik, sidomos në kuadër të agjendës sonë të përbashkët të anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Kryetari i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, u bëri thirrje bizneseve nga Maqedonia që të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur nga kushtet lehtësuese që ofron Shqipëria për bizneset e jashtme. Ai tha se qeveria shqiptare dëshiron të shohë që bashkëpunimi afarist të marrë një rol gjithnjë e më të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në zhvillimin e Shqipërisë me investimet e tyre.
“Marrëdhëniet sot janë të shkëlqyera dhe të një bashkëpunimi strategjik, të cilat janë forcuar në këto vitet e fundit, duke krijuar një perspektivë po aq të shkëlqyer dhe një klimë shumë të mirë për shtrirjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Pa dyshim se vazhdimisht jemi të angazhuar drejt nxitjes së bashkëpunimit konstruktiv institucional dhe kemi kërkuar lehtësimin e procedurave doganore në pikat kufitare.” – u shpreh kryetari Hoxha.
Gjatë takimit gjithashtu u pa edhe nevoja për të mbështetur prodhimet me origjinë shqiptare të të gjithë trevave tona, në mënyrë që këto biznese të ecin në rrugë të sigurtë drejt rritjes së tyre, por njëkohësisht të rrisin gjithnjë e më shumë mundësitë e shtimit të sa më shumë prodhimeve vendore. Në veçanti u diskutua për zbatimin e masave të reja për mbështetjen e prodhimit vendor dhe u vlerësua se këto masa do të ndihmojnë zhvillimin e sektorit privat, përkatësisht prodhuesve nga Shqipëria dhe Maqedonia dhe të gjithë atyre që vijnë për të investuar në vendet tona.
Të dy palët treguan përkushtimin e tyre që të realizojnë top prioritetet që janë përmirësimi i mjedisit afarist, mbështetja e prodhimit vendor dhe rritja e punësimit, duke parë sfidat e rajonalizimit të ekonomive tona dhe sfidat e integtrimit.
Kryetari i Shqipërisë Meta ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim duke thënë se është koha e fundit që të gjithë së bashku të kemi një vizion të përbashkët për të ardhmen ekonomike. “Tani, duhen mesazhe të forta shprese dhe zhvillimi, ka kaluar koha e premtimeve, tani duhen vetëm veprime” – tha Meta.
Ai shprehu idenë që duke marrë shembuj dhe praktika nga vendet tjera, të krijohet një zonë e lirë ekonomike, e cila do të përfshinte të gjithë hapësirën mbarëshqiptare.